Sport Kanabisi do të hiqet nga lista e dopingut në sport

Kanabisi do të hiqet nga lista e dopingut në sport

Kanabisi do të hiqet shumë shpejt nga lista e dopingut në sport. WADA, Agjencia Botërore e Anti-Dopingut, është shprehur e hapur që të rishqyrtojë përjashtimin e marijuhanës nga substancat e ndaluara, pas përjashtimit nga Olimpiada 2020 në Tokio e sprintieres amerikane, Sha’Carri Richardson.

Atletja ishte pezulluar për 30 ditë, pasi rezultoi pozitive me marijuhanë gjatë garave kualifikuese që Shtetet e Bashkuara zhvillojnë, nga ku përzgjidhen sportistët të cilët kualifikohen në Lojërat Olimpike.

Ngjarja nxiti një debat të gjerë rreth faktit nëse kanabisi duhet të hiqet nga lista e produkteve që cilësohen si të ndaluara nga Agjencia Botërore e Anti-Doping. “Pas kërkesave nga një numër i konsiderueshëm i palëve të interesuara, Komiteti Ekzekutiv aprovoi vendimin e grupit të ekspertëve, që në vitin 2022 të rishikojë shkencërisht efektet e kanabisit te sportistët”, lexohej në deklaratën e WADA-s.

Megjithatë, Agjencia specifikoi se “aktualisht kanabisi është i ndaluar në aktivitetet sportive dhe do të mbetet i tillë edhe në vitin 2022”.

Duke qenë se është e lejuar në shumë vende të botës, edhe Sebastian Coe, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, në muajin korrik kishte kërkuar rishikimin e statusit të marijuhanës, për ta hequr nga substancat e ndaluara.