Bota Kanadaja me shifra të zymta: Ja sa viktima mund të kemi deri...

Kanadaja me shifra të zymta: Ja sa viktima mund të kemi deri në fund të pandemisë

Numri i vdekjeve në Kanada nga shpërthimi i koronavirusit ka shumë gjasa të shkojë midis 11,000 dhe 22,000 personave deri në fund të pandemisë.

Shifrat u raportuan të enjten nga zyrtarët të ministrisë së Shëndetësisë, të cilët folën për dy skenarë më të mundshëm.

Sipas “The Guardian”, autoritetet shëndetësore kanadeze thanë në një konferencë se ata prisnin nga 500 deri në 700 viktima deri më 16 Prill.

Vendi ka deri tani 476 të vdekur, sipas shifrave të lëshuara nga provincat e ndryshme.

Sakaq, vendi gjithashtu po përballet me një krizë të madhe ekonomike.

Një rekord prej një milion kanadezësh humbën punën e tyre në mars nga pandemia e koronavirusit, tha agjencia e statistikave të vendit të enjten.

Ekonomistët – dhe kryeministri – kishin paralajmëruar se shifrat do të ishin të zymta. Justin Trudeau tha të mërkurën: “Do të jetë një ditë e vështirë për vendin. Ne po përballemi me një sfidë unike. Por unë e di se nëse bashkojmë forcat, ekonomia do t’ua dalë pas kësaj krize”.