Bota Kanali i Stambollit, projekti i polemikave që mund të rrisë numrin e...

Kanali i Stambollit, projekti i polemikave që mund të rrisë numrin e tërmeteve

Kanali i Stambollit, synon krijimin e një rrugë të re për qarkullimin e anijeve mes detit Marmara dhe Detit të Zi. Qëllimi është ulja e trafikut detar, por kostoja e këtij projekti kalon çdo parashikim.

Një projekt që ka nxitur reagime të shumta, brenda dhe jashtë vendit. Ku partia kryesore opozitare CHP dhe kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Immmanoglu e konsiderojnë projektin si një çmenduri.

“Është një projekt kriminal. Kjo rrezikon jetën e miliona qytetarëve pasi do të ndërtohet në zonën më aktive për tërmete në qytet. Ky projekt është një tradhti për Stambollin. Nëse ky projekt do të realizohet Stambolli do të humbasë të gjitha veçoritë e tij historike dhe natyrore”, ka deklaruar Immmanoglu.

Por nga ana tjetër presidenti turk Rexhep Taip Erdogan është i vendosur ta çojë në fund projektin e ndërtuar që kur ai ka drejtuar bashkinë më të madhe në vend. Sipas tij gjithçka do të jetë gati brenda 6 apo 7 vitesh.

“Ekipet tona kanë pothuajse gjithçka gati dhe shumë shpejt do të hapet tenderi. Nëse nuk do të mundemi ta ndërtojmë me partneritet publik privat do të realizohet plotësisht me para nga buxheti i shtetit. Perëndimi ka dalë kundër këtij projekti sepse nuk e durojnë dot një mrekulli të tillë. Duan apo nuk duan të tjerët ne do ta bëjmë këtë projekt dhe besoj se do të jetë gati për 7 vjet”.

Por çfarë është kanali i Stambollit?

Ky kanal synon krijimin e një rruge artificiale midis detit Marmara dhe detit të Zi.

Projekti ka ngjallur reagime të shumta pro dhe kundër, sepse kostoja mjedisore prevalon atë ekonomike.

Ambientalistët shprehen se krijimi i këtij kanali do të dëmtojë dukshëm florën dhe faunën e vendit ndërsa ekonomistët shprehen se kostoja e tij ekonomike nuk justifikon fitimet që mund të marrë vendi.

Projekti synon ri konceptimin total të jetës në një nga qytetet më të populluara në botë duke krijuar ura të reja mes pjesëve të ndryshme të qytetit dhe zvogëlimin e trafikut në Stamboll, por gjeologët kanë frikë se e vetmja gjë që do të rritet do të jetë numri i tërmeteve.

Kanali i Stambollit është ideuar në kohën e sulltan Abdulazizit në shekullin e 19.