Bota Kancelari i Austrisë: Shengeni, një dështim

Kancelari i Austrisë: Shengeni, një dështim

Sistemi Shengen i Bashkimit Europian për lëvizjen e lirë është një dështim dhe kufijtë e jashtëm të unionit duhet të përforcohen. Kështu deklaroi kancelari austriak Karl Nehammer në një konferencë për shtyp së bashku me kryeministrin holandez Mark Rutte.

“Në të vërtetë ne kemi një dështim sistematik. Shengeni nuk funksionon dhe procedura e azilit për në BE që kemi në fuqi nuk funksionon. Këto janë probleme të mëdha. Të dy ne jemi europianë të flaktë. Për ne, Bashkimi Europian është e ardhmja e Europës, por kjo do të thotë që institucionet duhet të bëjnë punën e tyre. Kjo do të thotë që Komisioni Europian, monitoruesi i traktateve, duhet të sigurojë zbatimin e tyre.”

Ai bëri thirrje që t’i jepet mbështetje financiare Bullgarisë dhe Rumanisë, pasi kundërshton futjen e tyre në zonën Shengen për shkak të shqetësimit të vendit të tij për çështjen e emigrimit të paligjshëm. Kancelari kujtoi një vizitë në kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë, ku sipas tij, situata ishte e vështirë.

“Si Bullgaria ashtu edhe Rumania kanë nevojë për mbështetjen tonë kur bëhet fjalë për sigurimin e kufijve nga aspekti financiar. Bëhet fjalë për përforcimin e gardhit që është aty. Tani, Komisioni gjithmonë jep një “jo” kategorike si përgjigje për këtë, duke thënë se nuk do të ketë para për më shumë gardhe. Por nuk mendoj se kjo duhet të jetë fjala e fundit.”

Zona Shengen është zona më e madhe në botë, që mundëson lëvizjen e lirë të njerëzve midis 26 vendeve evropiane.