Kryesore Kancelarja Merkel nuk e “refuzoi” vaksinën AstraZeneca

Kancelarja Merkel nuk e “refuzoi” vaksinën AstraZeneca

Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk refuzoi vaksinën nga Oxford-AstraZeneca, pavarësisht raportimit të disa mediave se ajo kishte bërë diçka të tillë.

Lajme dhe tituj mashtrues në Mbretërinë e Bashkuar thoshin se Angela Merkel “refuzoi” të merrte dozën e injektimit nga Universiteti i Oksfordit dhe gjigandi farmaceutik AstraZeneca, pavarësisht “1.4 milion dozave të papërdorura ende në Gjermani”.

Shumë lajme cituan një intervistë që kancelarja dha për gazetën gjermane Frankfurteer Allgemeine Zeitung (FAZ).

Në intervistë Merkel tha: “Unë jam 66 vjeç dhe nuk bëj pjesë në grupin e rekomanduar për të marrë vaksinën AstraZeneca”.

Qeveria gjermane deklaroi se vetëm ata njerëz “në grupin me përparësi të lartë, që janë të moshës 18 dhe 64” mund të marrin vaksinën AstraZeneca.

“Kjo është një vaksinë e sigurt dhe mjaft e efektshme. AstraZeneca është një nga tre vaksinat e  aprovuara aktualisht për përdorim në Bashkimin Europian”, deklaroi Qeveria Federale e Gjermanisë pas lajmeve të rreme se kancelarja Merkel refuzoi vaksinën AstraZeneca

“Të gjithë autoritetet thonë se kësaj vaksine mund t’i besohet”, – tha Merkel, e cila është dy vjet më e madhe se pragu që AstraZeneca ka rekomanduar për përdorimin e vaksinës.

“Për aq kohë sa vaksinat janë aq të pakta sa tani, nuk mund të zgjidhni me çfarë të vaksinoheni”, – shtoi kancelarja në FAZ.

Pikërisht prej këtyre deklaratave, organizatat e lajmeve në Mbretërinë e Bashkuar, nxorën citimet e saj nga konteksti për të tingëlluar sikur ajo nuk donte të injektohej.

Gjermania së bashku me vendet e tjera të Bashkimit Europian, është kritikuar për ngadalësinë në shpërndarjen e vaksinave anti-COVID për qytetarët, por sidoqoftë, në një moment vendimtar për autoritetet e shëndetit publik në të gjithë Evropën, titujt mashtrues mund të shkaktojnë hezitim te popullsia për marrjen e dozës përkatëse.