Kryesore Kandidatët e Alibeajt, ngrihet grupi për gjetjen e “gjuhës së përbashkët” me...

Kandidatët e Alibeajt, ngrihet grupi për gjetjen e “gjuhës së përbashkët” me Berishën

Gazmend Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha janë tre të deleguarit e grupimit “Alibeaj” që do të tentojnë të krijojnë komunikim me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

Tentativat do të vijojnë deri të premten me qëllim bashkimin e partisë.

Kujtojmë se të hënën, grupimi “Alibeaj” mbajti një takim maratonë dhe u propozua një platformë me tre pika duke kërkuar bashkimin dhe daljen me një kandidat të përbashkët të demokratëve në zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Të dy grupimet si ai i Berishës, ashtu edhe ai i Alibeajt kanë depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat për t’u regjistruar në garën elektorale të 14 Majit.

Këto lëvizje në kampin blu vijnë në një kohë kur brenda kësaj jave KQZ-ja duhet të shprehet për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje, pasi të shqyrtojë më parë dokumentacionet e dorëzuara nga të dy grupimet.