Politika  “Kanë qenë ekspertë apo çobanë delesh”, qytetari i shpreh Bashës pakënaqësinë për...

 “Kanë qenë ekspertë apo çobanë delesh”, qytetari i shpreh Bashës pakënaqësinë për verifikimin e banesës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vazhduar takimet me banorët e qarkut të Durrësit, të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit. Në zonën Qerretit në Katund të Ri, kryedemokrati u njoh me shqetësimet e qytetarëve, të cilët shprehën pakënaqësinë për akt-ekspertimin e shtëpive të tyre.

Lulzim Basha pa nga afër një rast të tillë, ku banesa është verifikuar tre herë me rezultate të ndryshme. Herën e tretë shtëpia ishte nxjerrë e banueshme, megjithëse pamjet tregojnë se mbahet në këmbë nga një shufër hekuri vertikale, e vendosur në kulmin e saj. Pronari shprehu shqetësimin për sigurinë e jetës, pasi akt ekspertimi nuk kishte lidhje me gjendjen e vërtetë të shtëpisë së tij.

“Shiko si e kanë bërë”, tha banori duke lexuar akt ekspertimin. “Tjegull tulle. A ka tjegull kjo? Kjo është vetëm me soletë. Nuk e di se çfarë kanë qenë ata ekspertë! A kanë qenë çobanë delesh”, shtoi ai.

Kreu i PD kërkon dhe i bën thirrje qeverisë që verifikimet e banesave të bëhen nga inxhinierë, të cilët duhet të firmosin dokumentin që përcakton nëse shtëpitë janë të banueshme ose jo.

“Më e rënda nga të gjitha, është se në këtë gjendje ku është kjo shtëpia ju thonë të futeni brenda, por letrën nuk ju a jep. Me një lëkundje kjo bie dhe ju zë brenda, siç ndodhi në Thumanë. Përfaqësuesit e bashkisë apo qeverisë nuk jua japin as me letër dhe thonë se u futën vetë brenda. Kjo është kriminale. Kjo është t’i vrasësh banorët. Ata që i kanë shpëtuar tërmetit t’i vrasë shteti. Kjo është! Gjëja e parë, ju në asnjë mënyrë nuk do të futeni brenda pa marrë një letër nga shteti. Dhe po morët letër nga shteti, do të vijnë ta vërtetojnë me specialistë, jo me nëpunës. Të vijë inxhinieri dhe ta firmosë. Sepse nuk ka inxhinier ta firmosë shtëpinë në këtë gjendje. Inxhinieri që firmos se kjo është e banueshme, shkon në burg. Dhe njerëzit që ju thonë futuni se është e banueshme, pa firmë, edhe ata do të shkojnë në burg. Edhe ata që ju thonë dhe i mësojnë që t’u thonë banorëve futuni në banesa të shkatërruara, edhe ata duhet të shkojnë në burg, nga i pari tek i fundit”, u shpreh Basha.