Ekonomi Kantinat e verës lanë pas një vit të vështirë, edhe 2021 i...

Kantinat e verës lanë pas një vit të vështirë, edhe 2021 i zymtë e mes dilemash

Kantinat e verës në vend u përballën me një vit të vështirë në 2020-n. Shitjet e tyre ranë në mënyrë dramatike në raport me vitin 2019. Mbyllja e një segmenti të rëndësishëm në zinxhirin e tyre, siç janë restorantet, ka dhënë efekt direkt në uljen e shitjeve që për disa luhatet mes 40% e për të tjerë, edhe më e thellë.

Levent Nurellari nga “Kantina Nurellari” në Berat, tha për “Monitor” se shpresa në vitin e kaluar ishte te turizmi, por goditja që pësoi ky sektor në rang global, nuk la pa prekur edhe Shqipërinë. Për rrjedhojë, rezervimet që ishin bërë nëpërmjet agjencive për paketat e degustimit të verës, por edhe për akomodimin, u anuluan. Oksigjeni i vetëm u mor në muajt e verës, kurse fundviti që është edhe kryesori në arkëtime tradicionalisht, ishte dukshëm më dobët.

Rigers Kaçorri, nga “Kantina Arbri”, pohon se pavarësisht se viti i shkuar ishte ideali në termat e kushteve klimatike dhe prodhimit të rrushit, rënia e shitjeve i kufizoi dukshëm kantinat në prodhim. Ai nuk parashikon që në vitin 2021 të ndodhin mrekulli në mënyrë të menjëhershme, por pranon se gradualisht do të ketë një kthim në normalitet. E nëse kjo vonon, të paktën këtë vit jemi më të përgatitur se një vit më parë për t’i bërë ballë pandemisë.

Levent Nurellari, Kantina “Nurellari”: Rëniet në shitje ishin 40%, në vitin 2021, sytë te turizmi

Si ishte viti 2020 sa i takon kantinës suaj dhe zgjerimit që patët në agroturizëm?

Kishim shumë pritshmëri për vitin 2020, të lidhura sidomos me turizmin pasi kishim planifikuar me agjencitë turistike nisjen e degustimeve dhe hapjen e akomodimit, por situata e pandemisë globale anuloi gjithë rezervimet. Kishim investuar gjatë 2019-s dhe kishim planifikuar edhe investime në vitin 2020, por tani kemi mbetur disi pas me planet.

Kantina tani funksionon 100% dhe kemi bërë disa ndërhyrje që lidhen me pajisjet teknologjike. Hapja e turizmit në verën e vitit të shkuar, ku kryesor ishte turizmi i brendshëm na dha pak frymëmarrje. Kishim në kantinë vizitorë nga Kosova e ndonjë grup nga Maqedonia e Veriut, por kryesor ka qenë turizmi vendas.

Po prodhimi në kantinë si ka qenë?

Prodhimi në kantinë ka qenë mjaft i mirë dhe ka ecur normalisht. Jemi rritur në sasi prodhimi në vitin 2020. Në shitje vlerësoj se kemi pasur një rënie 35-40%. Siç përmenda kemi bërë disa investime që i kemi përfituar nëpërmjet projektit të fituar nga IPARD II.

Duke pasur parasysh pandeminë, a e keni zgjeruar portofolin e verave të reja, apo keni mbajtur atë të mëparshëm?

Kemi nxjerrë një verë të ëmbël, që bëhet me rrush të tharë 90 ditë. Është një sasi e limituar. Po kështu kemi nxjerrë edhe një tjetër nga një varietet autokton, që duhet serina e zezë. Përshtypja që kemi marrë është pozitive.

Po sa u takon shitjeve gjatë vitit të shkuar?

Ishte dukshëm më dobët se në vitin 2019. Dhjetori që ishte muaji më i mirë i vitit, ndër vite, duke u konsideruar edhe si motor për arkëtimet e kantinave në 2020 ishte 40% më pak.

Cilat janë planet tuaja për vitin 2021, a përfshihet në to zgjerimi?

Ne kemi shtuar 1.2 hektarë vreshta. Parashikojmë që të aplikojmë me IPARD III për të shtuar edhe 8 hektarë, duke e çuar në total vreshtin e kantinës në 15. Përveç vreshtit tonë, kemi marrëdhënie me fermerët e zonës, të cilën e ruajmë ndër vite dhe të paktën 30% të rrushit e marrim prej tyre. Shpresojmë që të ndryshojë këtë vit situata e pandemisë dhe të rikthehet edhe turizmi, pasi ne e shohim aktivitetin tonë të lidhur me të dhe mendojmë se do t’i jepte tjetër hov agroturizmeve dhe kantinave.

Rigers Kaçorri, “Kantina Arbri”: Viti 2021 mbetet i paqartë, pandemia ndikoi planet e importuesve

Si ishte viti 2020 për sektorin e verës dhe konkretisht për kantinën tuaj?

Viti 2020 ka qenë një vit shumë i veçantë dhe i çuditshëm. Tronditja në shitje për kantinat filloi që në nëntor të vitit 2019 prej tërmetit. Në janar dhe shkurt, pati një rikuperim, pastaj sërish bllokim prej pandemisë. Ne si kantinë punojmë me restorantet dhe dyqanet e verës dhe nuk jemi shumë në supermarket. Pjesa e mbylljes na dëmtoi jashtë mase.

Në vitin 2020 ishim me një rënie 65% në raport me vitin 2019. Pandemia ka sjellë edhe probleme të tjera të mëdha duke nisur që nga organizimi i punës në kantinë, vreshtat, shpërndarja, respektimi i distancës dhe protokolleve të sigurisë.

Kemi arritur t’i menaxhojmë të gjitha, por efekti i pandemisë është ndier. Për shembull sa i takon pjesës së kantinës, duke qenë se kishim dhe vjeljen në një vit të mirë, por kishim dhe një rënie drastike të shitjeve nuk arritëm të merrnim gjithë prodhimin e fermerëve.

Normalisht kjo solli ulje të prodhimit në vitin 2020. Nga ana klimatike dhe e prodhimit të rrushit, viti i kaluar ka qenë ideal, por shtatori ka qenë shumë i vështirë për t’u menaxhuar. Si për prodhimin tonë dhe për atë të fermerëve me të cilët kemi marrëveshje, kemi menaxhuar në limitin e fundit, pasi nuk kishim hapësira për prodhim të ri. Nëse në 2019 janë prodhuar 1500 kuintalë, në vitin 2020 janë më pak, rreth 1200 kuintalë.

Po sa u takon produkteve të reja a keni parë si mundësi të zgjeroni portofolin, apo u ndikuat nga pandemia?

Kishim dy mundësi për të dalë me produkte të reja në treg por për efekt të uljes së shitjes dhe mosfunksiomimit të zinxhirit të eksportit besoj do të dalim diku nga pranvera e këtij viti nëse situata do të përmirësohet. Eksportet në vitin 2019 ishin 18%, kurse në vitin 2020, sasia ishte e papërfillshme. Ishte e tillë pasi kishte vështirësi logjistike, ndërkohë që edhe çmimet e paketave të transportit të verës u rritën. Importuesit kishin frikë pasi nuk e dinin sesi do të reagohej në tregje dhe na kërkuan kohë që sasinë e rezervuar ta marrin më vonë në vitin 2021 brenda kontratës. Të gjitha këto patën ndikim.

Po investime a keni bërë gjatë vitit të shkuar?

Kemi pasur disa investime të vogla, të cilat kanë qenë plotësuese të kantinës por jo strategjike, pasi nuk ishte kohë për investime. Ne kishim probleme me arkëtimet, pasi vetëm diku nga qershori pati lëvizje dy-tre muaj, por ishin muaj që nuk mjaftuan për të lëvizur gjithë zinxhirin. Për 2020-n nuk bëhet fjalë për fitim, por sigurisht u luftua për të mbuluar humbjet. Sektori i restoranteve, me të cilin ne si kantina dhe agropërpunimi jemi të lidhur direkt, është goditur në mënyrë të rëndë.

Si e parashikon këtë vit, duke pasur parasysh që ende ka paqartësi sa i takon pandemisë?

E shoh të zymtë, sepse frika është shumë e madhe. Mendoj se sektorë të caktuar, si restorantet dhe prodhimi, duhet të mbështeten nga qeveria brenda hapësirave që ka për një paketë tjetër. Sigurisht kjo duhet të bëhet në funksion të mbajtjes aktive të vendeve të punës. Ne në kantinë kemi të paktën 50 të punësuar dhe të gjithë po përpiqemi t’i mbajmë me pagë. Duhet të shihet mundësia që të ketë një lehtësim për bizneset qoftë dhe duke u shtyrë në kohë taksat. Të gjendet një rrugë e mesme nga e cila përfitojnë të dyja palët.

Kjo ndoshta mund të bëhet deri në prill, megjithëse deri në qershor situatën e shoh të zymtë. Kam shpresë që nga vera e më pas do të ketë një kthim gradual në normalitet dhe njerëzit do t’i shohin gjërat më ndryshe. E gjithë kjo situatë na gjeti të papërgatitur, por mendoj se në 2021, sido që të shkojë, do të jemi më të organizuar dhe të përshtatur më mirë. / Monitor