Opinione A do kapet demi prej brirësh?

A do kapet demi prej brirësh?

147
0
Shpërndaje

Bedri Islami

Një fakt është i vërtetë: Prokuroria, sidomos Prokuroria e Përgjithshme, ka filluar të lëvizë nga vendi. Pezhizhka që e kishte mbështjellë atë po fillon të bjerë dhe fillesa e tashme është ogurmirë dhe ndoshta mund të jetë edhe parathënia e shumë gjërave të tjera. Është plotësisht e mundur që përmes katarsit që mund të bëjë ajo, shumë gjëra të jenë plotësisht të qarta dhe të ketë ndëshkimet e pritshme për abuzimin me pushtetin.

Në harkun e pak ditëve janë bërë disa nga veprimet e pritura prej kohësh: Janë bërë ndalimet e drejtorëve të rëndësishëm të dy qeverive, ku ka qenë edhe korrupsioni më i ndjeshëm, të rrugëve, janë ndaluar dhe po merren në pyetje zyrtarë të rëndësishëm të dikastereve, krejt befas, por e pritur prej kohësh, thirrja në prokurori e njërit ndër më të përfolurit e viteve të fundit për korruptim dhe nivelin e lartë shpërdorues të jetesës, me të ardhura të dyshimta, Shkëlzen Berishës, tani ish-ministri Genc Ruli, e ndoshta edhe Haxhinasto.

Pra, lëvizja ka filluar. Kjo ka vënë në alarm, jo vetëm funksionarët e qeverive të shkuara, qofshin demokratë apo të së majtës, por edhe administrues të sotëm, të cilët ende nuk e dinë se me cilët do të merret në muajt e ardhshëm Arta Marku.

Është një fillesë e mbarë. Por, jo përtej fillesës. Është, ndoshta, filli i perit që mund të çojë në zbulime të tjera, të ditura dhe të padënuara. Ashtu si është e mundur që “drejtorët” e akuzuar të mbyllin gojën, të mbajnë gjithçka brenda vetes, edhe fajin e të tjerëve, edhe adresat se ku janë shpërndarë milionat e eurove, gjithëherë nëse ka ndodhur kështu.

Por, asnjëra prej tyre, ndoshta me një përjashtim, nuk hyn në ato që u quajtën “peshqit e mëdhenj”. Ata kanë mbetur ende në hapësirën e tyre politike, mediatike dhe, jo rrallëherë, edhe legjislative.

Nëse Prokuroria e Përgjithshme do të shtrihej, ta zëmë, në parlamentin shqiptar, ai mund të rrudhej me një të katërtën e deputetëve të sotëm.

Korrupsioni i lartë shtetëror prej viteve e ka zënë shtetin prej fyti. E ka mbërthyer mizorisht. Më shumë se me një peshkaqen, ai ngjan me një dem të tërbuar, i cili, sa shikon ngjyrën e eurove, sulet tërbueshëm dhe gllabëron gjithçka.

Nëse në këto 27 vite do të kishim pasur një shkallë më të ulët korrupsioni qeveritar e lokal, qoftë edhe në nivelin 30 për qind, të pakëta do të ishin rrugët e pashtruara deri tani; vendi do të kishte pasur, të paktën, edhe 120 mijë vende pune më shumë; niveli i të ardhurave vetjake do të ishte 142 për qind më i lartë në krahasim me të sotmin, do të ishin ngritur rreth 30 spitale të reja dhe mbi 110 shkolla; niveli i jetesës do të ishte shumë më i lartë; vendi do të ishte prej kohësh pjesë e Bashkimit Evropian dhe e drejta e punësimit në Perëndim do të ishte krejt e natyrshme. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur një studim për Shqipërinë, i bërë nga njëri ndër institucionet e rëndësishme të Sigurisë, Stabilitetit dhe Integrimit Europian.

Megjithatë duket se është e shpejtuar, në fakt, hapja e dosjeve madhore, është e vonuar. Vonesa nuk është faji që rëndon mbi Arta Markun; në një hark kohor prej disa javëve ajo ka nisur të përmbysë disa tabu të politikës dhe të gjyqësorit. Por, nëse vonesa do të shkojë drejt kalendave greke, atëherë, bashkëfajësia do të ketë më shumë se një emër.

Humnera e shtetit shqiptar nuk e ka fillesën tani. Pasojat shfaqen gjithnjë e më të rënda, por zanafilla është shumë më e hershme.

Janë disa dosje të mbyllura, herë nga socialistët në pushtet, herë nga demokratët në të ikur nga pushteti.

Asnjëra nuk mund të zgjidhet si duhet nëse nuk fillohet nga ngjarjet e vitit 1997. Fillesa e korrupsionit nuk është aty, por ajo mbart njërën nga zezonat më të mëdha dhe enigmën e fillesës. Ka dëshmi okulare se si u hapën depot e armëve dhe kush dha urdhër për këtë, e jo vetëm nga Izet Haxhija. Disa nga dëshmitë janë ende të regjistruara, si ajo e ish-Presidentit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, “të armatosen militantët”, urdhri për bombardimin e zonave të rebeluara të Jugut, kërkesa për përdorimin e lëndëve kimike, vendosjen e shtetit nën kontrollin e policisë sekrete dhe gjeneralit Gazidede, përfaqësues jo vetëm i këtij sigurimi, por edhe i forcave radikale islamike; armatosja dhe mobilizimi i forcave civile dhe dërgimi i tyre në jug, duke ndjellë luftën civile; krijimi i të ashtuquajturit “Komiteti i Veriut” dhe vrasjet e shumta, të cilat janë edhe më tepër se sa ato të ndodhura në 40 vite komunizëm; mashtrimi masiv me firmat piramidale, e të gjitha janë vetëm një pjesë nga ku duhet të fillojë hetimi i Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Fillesa e punës së tashme të strukturave të prokurorisë është sinjafikative, por nëse do të mbetet këtu, atëherë është bërë fare pak, ose më saktë, nuk është bërë asgjë.

Në harkun e 20 viteve të fundit kanë ndodhur ngjarje të jashtëzakonshme korruptive, të përmasave shumë të mëdha, të cilat kanë krijuar dy dukuri të llahtarshme: Kanë krijuar oligarkinë politike financiare dhe kanë shkatërruar besimin e njerëzve në ekzistencën e shtetit.

Koha për të hapur dosjet e mëdha dhe për të kapur demin nga brirët duhet të vijë sa më parë të jetë e mundur. Dhe mundësia është reale, sepse ajo që është vjedhur dhe ata që janë vrarë, jo vetëm kërkojnë ndëshkimin, por janë edhe paralajmërime të së ardhmes.

Është e pazakontë, por, thuajse me të gjitha ngjarjet e mëdha korruptive janë të lidhur një grup njerëzish, të mbledhur rreth ish-shefit të qeverisë “Berisha”. Me to, dhe me atë, janë të lidhura Rruga e Kombit, ku jo vetëm janë zhdukur qindra milionë euro, por edhe, për hir të një përurimi zgjedhor, janë hedhur në erë dhjetëra milionë të tjera. Është e lidhur Gërdeci dhe 21 Janari, CEZ, bandat mitingashe dhe Fazlliç; 14 Shtatori, puçi i zi i kolonelëve pëdëistë, zhdukja e floririt dhe vilat e stërmëdha në bregdet, rreth këtij grupimi janë fëmijët kryeministrorë dhe ish-ministra, si Bode, Ruli apo Pollo, të cilët, sa herë kanë pasur besim qeveritar, aq herë edhe kanë krijuar humnera financiare.

Nëse këto çështje të nxehta do të rrinë edhe më tej si kuti të mbyllura, të cilat nuk mund të hapen, atëherë krejt vlera e Vettingut dhe rigjallërimi i Prokurorisë do të jenë shfaqje kalimtare, nga të cilat të hidhëruar do të dalin njerëzit e thjeshtë, të varfër dhe të lënë në mëshirën e një burokracie gllabëruese.

14 Shtatori ishte frymëzimi serb i revoltës. Që para se të ndodhte grushti i shtetit, institucionet më të larta janë lajmëruar për përgatitjen e tij dhe për përfshirjen në të të njerëzve të lidhur ngushtë me strukturat e UDB-së së dikurshme apo KOS, shërbimit të fshehtë ushtarak serb, të cilët do të involvoheshin fuqishëm në një rebelim të armatosur.

Të mos hetosh 14 Shtatorin, jo vetëm si grusht shteti, por edhe si tradhëti kombëtare, grusht luftës në Kosovë dhe mbështetje pushtimit serb, do të thotë të lejosh që fantazmat e së shkuarës të jenë ende në parlamentin shqiptar. Është ndoshta nga momentet më të dokumentuara, që nga përgatitja dhe deri tek armatosja e sulmi mbi institucionet shqiptare, duke e ditur se gjithçka po përgatitej sipas skenarit të dikurshëm të vrasjes së Avni Rustemit. 14 Shtatori priste një vrasje dhe u gjet njeriu që pak më parë ishte betuar ndaj Berishës, se, “unë për ty e jap jetën”.

14 Shtatori do të sjellë një datë tjetër makabër: 21 Janarin.

21 Janari, i cili po shkon drejt harrimit, nuk është shfaqje e papritur. Ishte e paralajmëruar. Zanafilla e tij ishte viti 1997, vazhdimi i tij ishte 14 Shtatori, kur, për hir të pushtetit, desh u ndez një luftë civile. U përsërit në përmasa të tjera hakmarrja e pushtetit, pavarësisht dëshirës për të vrarë 300 demonstrues.

Krimi politik dhe financiar është i ulur në Shqipëri. Mbi të gjitha ai rëndon mbi atë që është quajtur elita e politikës, por që në fakt rezultoi një grusht mercenarësh, të cilët, edhe kur thërrisnin për demokraci, mendjen e kishin tek shkatërrimi, shërbimi ndaj strukturave të huaja sekrete dhe pasurimi përtallës ndaj varfërisë së popullit.

Prokuroria duhet ta kapë demin nga brirët. Duhet të përcaktojë të keqen saktësisht, e cila është një keqe e njohur, e ditur fare mirë, por ende e mbështjellë nën imunitetin e politikës.

Mos u druani. Demi ka brirë, por brirët mund të shkulen.

 

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in