Aktualitet Kapet gomonia me 1.5 tonë drogë në Itali, në pranga dy shqiptarë

Kapet gomonia me 1.5 tonë drogë në Itali, në pranga dy shqiptarë

Një gomone me 1.5 tonë drogë, të llojit kanabis, është kapur në Itali, në brigjet e Puljias, ndërsa në pranga janë vënë dy skafistët shqiptarë.

Mediat italiane raportojnë se droga vinte nga brigjet shqiptare, ndërsa ndjekja në det deri në bllokimin e gomones vijoi për disa orë.

Pasi e pikasën në det, autoritetet italiane filluan ndjekjen e mjetit lundrues, ndërsa trafikantët në tentativë për t’u larguar hodhën një pjesë të ngarkesës në ujë, por nuk arritën që të shpëtonin pavarësisht se gomonia që kishin në përdorim ishte e gjatë 10 metra dhe me dy motorë të fuqishëm.

Pas arrestimit të shqiptarëve rezultoi se gjithsej ishin 71 pako me kanabis me peshë 1.5 tonë me vlerë 15 milionë euro nëse do të shitej në treg.

Policia italiane ka thelluar bashkëpunimin me autoritetet shqiptare dhe FRONTEX për të luftuar dhe goditur çdo tentativë trafiku të lëndëe narkotike.