Bota Kapet kokainë me vlerë 31 mln dollarë në SHBA, destinacioni ishte Europa

Kapet kokainë me vlerë 31 mln dollarë në SHBA, destinacioni ishte Europa

Autoritetet doganore sekuestruan kokainë me vlerë 31 milionë dollarë në Savana, Xheorxhia, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në portin lindor amerikan.

Agjentët gjetën 967,5 kg kokainë në një anije që kishte hyrë në port më 29 tetor dhe vinte nga Amerika e Jugut. Kontejneri duhet të ishte i mbushur me materiale metalike, por kur u kontrollua, brenda kishte 21 çanta të mbushura me drogë. “Besoj se u kemi prishur punë organizatave kriminale ndërkombëtare”, tha drejtori i portit, Christopher Kennally. “Është një goditje e madhe për ta”.

Kontejneri kishte ndaluar në SHBA por destinacioni përfundimtar ishte Europa. Autoritet nuk kanë arrestuar ende asnjë njeri por po hetohet vendi i saktë ku do të mbërrinte lënda narkotike. Rekordi i mëparshëm në port ishte vendosur në maj, kur ishin sekuestruar 580 kg kokainë me vlerë 19 milionë dollarë.

Në qershor, FBI sekuestroi 16,5 ton kokainë në Filadelfia, e cila në treg kapte vlerën e mbi 1 miliardë dollarëve. Në mars, po në Filadelfia, rreth 600 kilogramë kokainë, me vlerë 38 milionë dollarë, u kapën nga qentë e policisë. Në shkurt, rreth 1600 kilogramë kokainë u kapën në Nju Jork, me vlerë tregu 77 milionë dollarë.

Në vitin 2018, në të gjithë Shtetet e Bashkuara, janë sekuestruar mesatarisht 2112 kg lëndë narkotike çdo ditë.