Sport Kapiteni i Manchester United, 100 mijë euro për të shmangur burgun në...

Kapiteni i Manchester United, 100 mijë euro për të shmangur burgun në Greqi

Pushimet në Greqi gjatë kësaj vere duket se kanë krijuar probleme për futbollistët. Pjesa më e madhe i janë trembur koronavirusit, ndërsa më delikate ishte situata e Harry Maguire. Kapiteni i Manchester United u përfshi në një sherr me disa turistë të tjerë dhe u akuzua se tentoi t’i jepte ryshfet forcave të poilicisë.

Kjo bëri që qëndrimi në Mikonos të mos shkonte sipas planit, me mbrojtësin që përfundoi në qelitë e paraburgimit. Futbollisti i përfaqësueses angleze do të dalë përpara gjykatës më 25 gusht dhe nëse shpallet fajtor, rrezikon deri në tre vjet heqje lirie.

Për të evituar që të përfundojë pas hekurave, Maguire pritet të paguajë gjobën në vlerën rreth 100 mijë euro. Shifra është sa paga e një jave për 27-vjeçarin, me problemin e radhës që duket se do të lidhet me klubin e Manchester United.

Përveç masave disiplinore nga “Djajtë e Kuq”, Maguire rrezikon edhe heqjen e shiritit të kapitenit, i cili iu besua menjëherë pas transferimit të tij në “Old Trafford”. United pagoi 97 milionë dollarë për ta blerë nga Leicester City, duke e shndërruar në mbrojtësin më të kushtueshëm të historisë së futbollit.