Kryesore Kapitull i ri miqësie mes Scholz dhe Macron: Darkë e gjatë dhe...

Kapitull i ri miqësie mes Scholz dhe Macron: Darkë e gjatë dhe selfie në qytetin e lindjes të kancelarit gjerman

Kancelari gjerman, Olaf Scholz shoqëroi presidentin francez, Emmanuel Macron në një shëtitje të improvizuar rreth qendrës së Potsdamit, përpara një darke të gjatë pune.

Është hera e parë që Scholz takon një udhëheqës të huaj në qytetin ku ai banon.

Potsdami ndodhet pranë Berlinit.

Scholz i tregoi Macron qendrën e Potsdamit gjatë një shëtitje prej më shumë se gjysmë ore.

Ata u takuan në sheshin ”Alter Markt”, u ulën jashtë kafenesë së muzeut ”Barberini” dhe gjithashtu shëtitën nëpër ”Freundschaftsinsel”, një park aty pranë.

Takimi ishte gjithashtu domethënës sepse kancelari gjerman dhe presidenti francez fillimisht nuk e nisën mirë me njëri-tjetrin, pasi qeveria e re mori detyrën në Berlin në dhjetor 2021.

Marrëdhëniet nuk ishin krejtësisht të lehta.

Darka në Potsdam zgjati pothuajse tre orë, shumë më shumë nga sa ishte planifikuar.

Megjithatë, nuk ishte tërësisht private, pasi ishin të pranishëm edhe delegacionet e të dy vendeve, por Scholz dhe Macron u ulën në një tryezë të veçantë.

U konsiderua e mundshme që të dy mund të kenë folur për luftën ruse kundër Ukrainës, por edhe për çështje evropiane si propozimet e Komisionit Evropian për një reformë të rregullave të borxhit, një temë veçanërisht e diskutueshme midis Gjermanisë dhe Francës.

Macron dhe Scholz sapo ishin parë javën e kaluar në samitin evropian në Moldavi, ku filluan një përpjekje të përbashkët ndërmjetësimi në konfliktin në Kosovën Veriore.

Dhjetëra kureshtarë qëndronin në sheshin pranë ”Neuer Markt” dhe panë Scholz dhe Macron teksa hynin në restorantin ”Kochzimmer”.

Vitin e kaluar, ka pasur shumë mosmarrëveshje në marrëdhëniet franko-gjermane.

Një mbledhje e përbashkët e kabinetit madje duhej të shtyhej në vjeshtë për shkak të shumë dallimeve.

Në 60-vjetorin e Traktatit të Elysee për miqësinë franko-gjermane në Paris në janar, të dyja palët u përpoqën të bashkëpunojnë.

U zhvillua edhe Këshilli i Ministrave i përbashkët që ishte shtyrë.

Fakti që kancelari gjerman ftoi presidentin francez në Potsdam – praktikisht në shtëpinë e tij – mund të kuptohet si një taktikë për zbutjen e marrëdhënieve ende të tensionuara mes dy vendeve.

”Kochzimmer” ofroi kuzhinë të pasur në një atmosferë historike dhe është një nga bujtinat më të vjetra dhe më tradicionale të Potsdamit që nga viti 1783.

Kuzhinieri i restorantit, Jorg Frankenhäuser, i cili gjithashtu fitoi një yll ”Michelin” këtë vit, ofron “kuzhinë të re prusiane”.

Macron planifikon të kthehet sërish në Gjermani në fillim të korrikut.

Gjatë një vizite shtetërore treditore nga 2 deri më 4 korrik me ftesë të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier, Macron është planifikuar të vizitojë Ludwigsburgun, pranë Shtutgartit, si dhe qytetin lindor të Dresdenit.

Sipas agjendës, Macron do ta hajë mëngjesin vetëm me Scholzin.

Një banket i madh shtetëror është planifikuar në shtëpinë e Steinmeier, në Pallatin Bellevue të Berlinit.

Kjo është vizita e parë shtetërore e një presidenti francez në Gjermani në 23 vjet.

”Kjo ngjarje e veçantë shënon fillimin e një kapitulli të ri në miqësinë prej dekadash mes dy vendeve”, thuhej në një deklaratë nga zyra e presidentit gjerman dhe pallati Élysée në fillim të majit.