Aktualitet Karaburun, Sazan, Llogora, një projekt për menaxhimin e Zonave të Mbrojtura në...

Karaburun, Sazan, Llogora, një projekt për menaxhimin e Zonave të Mbrojtura në Vlorë

Shqipëria gjithmonë e më tepër po sugjerohet nga mediat e huaja si një destinacion që duhet zbuluar. Disa nga vendet e kërkuara janë ato që ne i quajmë zona të mbrojtura në vendin tonë, pasi turistët kërkojnë të provojnë një eksperiencë ndryshe.

Katër vite më parë, në 2015 u themelua Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, kjo shpjegon edhe faktin që shumë projekte janë ndërmarr për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre.

Për të kuptuar se çfarë pune është bërë në këtë drejtim në Vlorë, PNUD dërgoi një grup gazetarësh për të parë nga afër, investimin, por edhe ndryshimin gjatë këtyre kohëve.

Në kuadër të mirëmenaxhimit të Zonave të Mbrojtura, PNUD në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura kanë nisur zbatimin e një projekti 3 vjeçar (2018-2020), të financuar nga qeveria italiane (Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim). Projekti që kap shifrën 1 milion euro synon të mbroj në mënyrë efektive biodiversitetin; të mirëmbajë gjendjen e ekosistemeve dhe të sigurojë një burim të qëndrueshëm të zhvillimit të turizmit dhe rritjes ekonomike përmes këtyre zonave të mbrojtura.

Takimi i parë i gazetarëve ishte me përfaqësues nga Prefektura, Bashkia dhe Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë.

“Është e vërtetë që në këto zona ka mbetje urbane; prerje pyjesh dhe zjarrvënie; gurore, dhe ne jemi munduar t’i mbrojmë këto zona në bashkëpunim edhe me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, me Bashkinë dhe institucione të tjera. Problem mbetet infrastruktura në plazhet e zonave të mbrojtura si Karaburuni. Është e vështirë t’i administrosh këto plazhe sidomos sa i përket ndotjes, pasi duhet një koordinim i të gjithë aktorëve për menaxhimin e mbetjeve. Ne herë pas herë kemi ndërmarrë aksione pastrimi por kjo nuk është zgjidhje, duhet sensibilizim dhe bashkëpunim,- u shpreh në fjalën e tij prefekti i Vlorës Flamur Mamaj, i cili theksoi se bashkë me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë, janë përpjekur të përmirësojmë ndjeshëm situatën në këto zona.

Nga vaji i përdorur te Foka Murgeshë

Një nga personat që e njeh mirë zonën dhe po ashtu ka punuar me ketë projekt është Violeta Zuna.

Ajo është  menaxhere e projektit të PNUD në Vlorë. Zuna u tha gazetarëve se qëllimi i projektit është ngritja e një rrjeti të ZMDB  për të patur një ekosistem të shëndetshëm, produktiv dhe të rigjenerueshëm, që i jep shërbimet e duhura komunitetit duke ruajtur biodiversitetin detar të Shqipërisë është objektivi kryesor.

”Falë  asistencës së PNUD për herë të parë në Vlorë u zbatua projekti për grumbullimin e vajit të përdorur; ku gjatë vitit 2018 nga restorantet dhe lokalet e Vlorës u grumbullua 1.8 ton  vaj i përdorur.  Tonelatat e vajit dërgohen në Itali për t’u ripërdorur,” tha Violeta Zuni.

Administrata Rajonale Vlorë për Zonat e Mbrojtura është ngritur në vitin 2015 dhe ka një rol kyç në menaxhimin e këtyre zonave, që nga ndotja e deri te ruajtja e specieve të rralla, si breshka Caritta-Caritta apo Foka Murgeshë.

Qendrën e Vizitorëve të Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan

Teksa ecën në drejtim të Orikumit, në krahun e djathtë, buzë rrugës dhe detit njëkohësisht të shfaqet Qendra e Vizitorëve të Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Aty na priti Lorela Lazaj së bashku me kolegët e saj.

Lazaj është një nga ato vajza që e do qytetin e Vlorës dhe e transmeton këtë në çdo fjalë me të cilin përshkruan punën që është bërë nga zbatimi i këtij projekti.

Ajo është përfaqësuese e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Vlorë dhe ka parë hap pas hapi ndryshimet që janë bërë në saj të punës dhe investimeve në këtë qytet.

‘’Kemi 6 zona të mbrojtura në Vlorë; 3 parqe kombëtare; 2 rezerva natyrore; 1 peizazh i mbrojtur; 89 monumente natyre, ku Vlora ka të vetmin Park Kombëtar Detar Karaburun-Sazan; dunat më të vjetra  në bregdetin e Adriatikut. Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan me vlera të jashtëzakonshme natyrore; kulturore dhe historike po kthehet çdo vit e më shumë në një destinacion të vizitueshëm ku gjatë vitit 2018,  rreth 63 mijë turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar Parkun, ku 33 mijë ishin shqiptarë dhe 30 mijë të huaj”, tha Lorela Lazaj. Në të ardhmen Zyra Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë synon  të gjenerojë të ardhura nga turistët dhe ankorimi i anijeve që do të vizitojnë këto destinacione, para që do të riinvestohen pikërisht për menaxhimin e këtyre Zonave të Mbrojtura.

Një ndalesë e patëm edhe në Njësinë Administrative, Orikum, e cila është një nga partnerët kryesor të projektit të PNUD dhe bashkëpunëtor në promovimin e ruajtjes, dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit.

Znj. Melaize Selamaj, administratore e kësaj njësie administrative u shpreh se numri i turistëve në Orikum po rritet vit pas viti, ku krahas plazhit, vizitorët janë të interesuar për të parë edhe qytetin antik të Orikut, rrënojat e të cilit janë një pikë shumë e rëndësishme për turizmin arkeologjik.

Një ndalesë e patëm edhe në LLogora, atje ku është ndërtuar edhe në  qendrën e re për turistët në Parkun Kombëtar të Llogorasë të inauguruar në janar të këtij viti. Misioni i kësaj qendre është që ta shndërrojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë në një atraksion turistik që shfrytëzohet në të 365 ditët e vitit.

Aty na i treguan edhe momente interesante të  kapura na kamerat kurth në Parkun Kombëtar, Llogora.  Disa kafshë, si Baldosa, dhelpra, ujku, parakalonin pa e ditur se ishin duke u vëzhguar nga kamerat.  Ato janë një pasuri e çmuar e natyrës së kësaj zonë, që duhen ruajtur dhe mirëmbajtur.

Moratoriumi i gjuetisë ka luajtur një rolë të rëndësishëm në rritjen dhe shumimin e tyre.  pasi vitet e fundit, pavarësisht nga ndonjë rast sporadik nuk janë dëgjuar më krisma në Llogora.

Entela Resuli / DITA