Aktualitet Kartat e ID pranë skadimit, Lleshaj: Të gjitha të vlefshme deri në...

Kartat e ID pranë skadimit, Lleshaj: Të gjitha të vlefshme deri në fund të vitit

Kartat e identitetit që skadojnë këtë vit do të jenë të vlefshme deri në fund të 2019-ës.

Ministri i punëve të Brendshme Sander Lleshaj dhe kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj e dhanë këtë lajm gjatë një vizite në zyrat e reja për rinovimin e kartës së identitetit për banorët e Njësisë 3 dhe 4 që do të funksionojnë me 8 sportele.

“Është rezultat i një pune intensive që është bërë ditët e fundit, për të rritur kapacitetet e prodhimit për kartat e identitetit edhe në prag të zgjedhjeve, por edhe për të përballuar fluksin e madh, i cili lidhet me skadimin e një numri shumë të madh kartash, të cilat janë prodhuar pothuajse në të njëjtën kohë në vitin 2009”, u shpreh Lleshaj.

Zyra të reja do të hapen në të gjithë Tiranën për të lehtësuar fluksin në një shembull që pritet të ndiqet edhe nga qytete të tjera.