Kuriozitete Kartolina e fundvitit vjen nga … Marsi

Kartolina e fundvitit vjen nga … Marsi

Agjencia Hapësinore Evropiane nuk shquhet për dhurata, por këto ditë në prag të festave ka shpërndarë një nga fotot me të bukura të vitit, që shumë mirë mund të ishte një kartolinë perfekte urimi.

Një krater i bardhë, i akullt, në sfondin e një shkretëtire të kuqe të ndezur. Nuk është material i Photoshop, nuk është as shtëpia mitike e Babagjyshit. Janë pamjet e vërteta që sonda Mars Express ka dërguar nga planeti Mars, dhe që dëshmojnë madhështinë e kraterit Korolev.

Me diametër rreth 80 kilometra dhe një thellësi që mund të kapi 2000 metrat, krateri është një depozitë natyrore dhe e përhershme akulli në planetin e kuq.

Për shkak të ajrit që ftohet në kontakt me akullin duke formuar një lloj tape natyrale, akulli nuk shkrihet kurrë, as në verë.

Fotografia e kraterit Korolev, që merr emrin e tij nga një prej shkencëtarëve më të famshëm rus, është në fakt rezultati i një seri fotografish të pjesshme të Mars Express, që ka 15 vjet tashmë që ndodhet në orbitën e planetit Mars.

Planeti Mars, i cili ka kushtet më të përafërta me ato të Tokës, vitet e fundit po vizitohet gjithmonë e me shume nga satelitë dhe sonda që marrin materiale dhe analizojnë të dhënat gjeologjike, e fundit sonda InSight, një laborator i vërtet që premton të ndryshojë radikalisht dijet që kemi për planetin e kuq.