Politika KAS kërkon marrjen e materialeve zgjedhore për 24 qendra votimi në Qarkun...

KAS kërkon marrjen e materialeve zgjedhore për 24 qendra votimi në Qarkun e Beratit

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka vendosur të marrë në cilësinë e provave për kërkesat ankimore të PD dhe LSI, materialet zgjedhore për 24 qendra votimi në Qarkun e Beratit.

Me shumicë votash, KAS vendosi të mos pranojë marrjen e provave të reja nga institucione të tjera siç kërkojnë dy subjektet ankimuese.

Por për përfaqësuesin ligjor të Partisë Demokratike ky është një vendim i paligjshëm që do të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor.

“Kjo vendimmarrje konstante për të mos administruar provat që ne kërkojmë shkon në drejtim të kundërt të transparencës të procesit zgjedhor dhe në drejtim të kundërt jo vetëm të pritshmërisë, jo vetëm të opozitës, e cila është ankuese në këtë proces por gjithë shqiptarëve dhe gjithë zgjedhësve për transparencë mbi çdo aspekt, ende të errët të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Prova që do të zbulonin masakrën zgjedhore të 25 prillit, nuk janë vënë dhe as nuk i vihen në dispozicion opozitës”, tha Kaso.

Me kërkesën e dy anëtarëve Cefa e Braho, KAS vendosi të kërkojë administrimin e të dhënave të kryqëzuara për Qarkun e Beratit. Shqyrtimi i ankimimit për këtë qark do të pezullohet derisa të sigurohet dokumentacioni i kërkuar nga 24 QV e Beratit.