Kryesore KAS vendos rinumërimin e 114 kutive në Berat

KAS vendos rinumërimin e 114 kutive në Berat

Me shumicë votash, anëtarët e KAS vendosën rinumërimin dhe rivlerësimin e 114 kutive të votimit të Qarkut Berat.

Rinumërimi do të nisë në orën 14:00. Momentalisht, KAS është në pritje të materialeve nga KQZ për të vijuar shqyrtimin e ankimimeve për Qarkun Vlorë.

Më herët, PS-ja mbështeti kërkesën e LSI-së për të hapur kutitë në Qarkun e Beratit. Përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ, Eridian Salianji theksoi se, në kuadër të transparencës, mbështet hapjen e kutive duke shprehur bindjen se rezultati në këtë qark nuk do të ndryshojë. LSI-ja humbi mandatin e saj me 77 vota.

Dy përfaqësuesit e partive opozitare, PD-së dhe LSI-së, kërkuan që të rihapej çdo kuti në Berat, për të lexuar siç duhet vullnetin e qytetarëve. “Do të ishim të mendimit që të vijojmë me hapjen e të gjithë Qarkut të Beratit”, tha përfaqësuesi i LSI-së.

Por kjo kërkesë ankimore, sipas socialistëve nuk është në përputhje me Kodin Zgjedhor. Megjithatë Eridian Salianji u shpreh se është dakord që të hapen kutitë vetëm për ato që qendra votimi që janë kërkuar nga ankimuesit. Kjo sipas tij do të konfirmojë që mandati është fituar në mënyrë të rregullt.

“Për të hequr çdo dyshim mbi procesin e vlerësimit të votave në Berat, biem dakord që të hapen kutitë e kërkuara në kërkesën ankimore të ankimuesit, pavarësisht se jemi të mendimit që mandati nuk do të ndryshojë. Por ritheksoj që ky mandat me këtë proces që do të zhvillojmë do të konfirmojmë që është një mandat i fituar konform rregullave ligjore”, tha ai.