Extra Kastro Zizo: Muç Nanon e kam kushëri, çfarë di për homoseksualitetin e...

Kastro Zizo: Muç Nanon e kam kushëri, çfarë di për homoseksualitetin e tij

“Late Night Show” është programi më i ri që Klevis Bega, i njohur si Kastro Zizo, ka nisur këtë vit të ri 2019 në ekran. Premierën e emisionit të orës së vonë ai e nisi me trajtimin e fenomenit të kopjes, duke u marrë me veten dhe disa këngëtarë të njohur.

Në këtë intervistë për “Panorama Plus”, ai rrëfen detajet e formatit, që i shkon shumë, ku bën humor të zi dhe politikanët që do të ketë të ftuar për t’i zhveshur nga kostumi i pushtetit.

Të premten e kaluar kishe premierën e “Late Night Show”-t tënd. E nise me deklaratën “e kam kopjuar në Amerikë, unë kopjaci më i madh i këtij vendi” etj.. Fakti që e trajtove këtë fenomen në ekran, do të thotë se në javët në vazhdim do e personalizosh me të tjera çështje që të prekin dhe ty?

Po, patjetër… Autoironia, kam përshtypjen se, është virtyt i një biçim inteligjenti. Do të merrem deri në momentin që do të kemi origjinalitet në këtë vend në çdo fushë. Dhe emrin e emisionit nuk e kam kopjuar se mund të gjeja 1000 emra, thjesht është në vazhdën e këtij formati dhe besoj se jam i vetmi në Shqipëri, që e bën sipas origjinalit të krijuar nga “bajlozat” përtej detit.

Në versionin tënd, je më shumë afër Jimmy Fallon, Jimmy Kimel apo Ellen. Dhe pse iu afrove këtij formati të famshëm botëror?

Sepse është një format in dhe thonë që mua më shkon shumë.

Brenda këtij diskutimi, përmende si “kopjacë” edhe Sinan Hoxhën, Genta Ismajlin dhe Bleron. Pse pikërisht këta të tre dhe, ke emra të tjerë që mund t’ia shtosh listës?

Emra ka pa fund… thjesht këta e patën risk herën e parë! Mos harroni që u mora dhe me veprat e mia të kopjuara.

Florian Binaj dhe dublat që improvizuat me fragmentet e filmave ikonikë shkaktuan shumë të qeshura. Njiheni nga afër dhe si do e komentoje atë si personazh jashtë ekranit?

Flori, siç ka emrin, është dhe në jetë. I rrallë dhe i shkëlqyer. Një djalë për ta pirë në kupë të madhe. Kam super respekt!

Pse zgjodhe të rikthehesh me një format të orës së vonë, është ky orari që ti je në maksimumin e fantazisë dhe humorit?

Unë nuk e quaj veten komedian, por një njeri që ka mundësi të thotë atë që sheh dhe ndjen… Qëllon që në këtë vend ka shumë humor… nga ai i ziu. Jo detyrimisht, formati mund të shihet fare mirë në çdo orë. Thjesht, në atë orar njerëzve dua t’u jap copa nga vetja ime, para se të flenë apo të bëjnë gjëra të pista, por të bukura.

T’i ulësh personazhet e njohur në kolltukun e rrëfimeve dhe t’i pyesësh për karrierën e jetën private është puna që të largon nga problemet e tua dhe cilat aspekte të jetës të bëjnë më shumë kureshtar?

Çdo gjë më bën kureshtar nga secili… Jo vetëm nga personazhet e njohura. Kurioziteti i tepërt është budallallëk, thonë!

Je një kantautor që shkruan këngë për veten dhe të tjerët. Të intervistosh kolegët dhe jo vetëm ata, e konsideron një profesion të vërtetë që mund të bëjë të pasur?

Patjetër që po. Megjithëse unë nuk kam shumë respekt për pasurinë materiale.

Famën e cilit moderator televiziv shqiptar synon, paratë e kujt lakmon dhe namin e kujt dëshiron për marrëdhëniet me femra?

Atë që do të më servirë shkak-pasoja… Nuk adhuroj apo lakmoj asnjë përveçse njerëzit e mi të afërt që tentoj të vjedh nga të mirat e tyre.

Monologët e moderatorëve të ekranit janë kthyer në një trend. Si e komenton veten mes Adi Krastës dhe Mustafa Nanos?

Kam shume respekt për të dy. Nanon e kam kushëri, ndërsa me Krastën në ekran jam rritur.

Këto ditë kanë qenë të zhurmshme për Mustafa Nanon, pas deklaratës “Unë jam gay”. E beson këtë dhe, sipas teje, cili ishte nënkuptimi i asaj që tha publikisht?

(Qesh) Është i madh. S’e kam parë deklaratën, por mesa di unë nuk është.

Politikanët do jenë pjesë e netëve të tua? Dhe nëse do u zhvishje kostumin serioz, çfarë do u vishje në vend të tij?

Po, patjetër që do të jenë… Tek unë ndodh ajo që kush ka tru, do të vishet e dalë me tonelata tru… Ata që kanë pak, do t’u hiqet dhe ajo pak që kanë.

Deri ku do të arrijë lirshmëria jote në ekran, çfarë mund të bëje “live” me një femër apo një mashkull?

Të jem vetvetja… synimi kryesor.

Ke pohuar se ke hequr dorë nga alkooli, tani çfarë konsumon për të qenë në nivelin më të lartë shpirtëror të javës për të premten mbrëma?

Dashurinë e atyre që më rrethojnë dhe pak dhallë me byrek shtëpie.