Kulturë Katallani në mitologjinë shqiptare

Katallani në mitologjinë shqiptare

Personazh mjaft i njohur i demonologjisë primitive, të cilin e ndeshim me emra të ndryshëm në shumë popuj e shumë kultura. E gjejmë në Jug e në Veri të Shqipërisë, herë si Tatëgjysh i parë, herë si Katalla e herë si Syqenhenjeri.

Përfytyrohet si një farkëtar div nga shtati, i egër e me një sy në ballë, pa gjunjë e me këmbë të drejta si direku, që ha njerëz. Në jugun e Shqipërisë, e sidomos në Labëri e në anët e Korçës, ku del më dendur, ai quhet Syqenhenjeri, emër që s’është gjë tjetër, por se bashkim dy kompozitesh, me kuptimin “syqen që ha njerëz”.

At Shtjefën Gjecovi e identifikon me ciklopin Polifem të Homerit. Por duhet thënë se i pari që shqoi te Polifemi natyrën ilire qe Mjeda. Shumë studjues, si Hackamani, Skileri, Bolta, Bendesi etj., mbrojnë pavarsinë kohore të motivit të ciklopit ndër popujt jogrekë të Ballkanit, përfshirë edhe ilirët, përkundrejt ciklopit të mitit grek. Në Drenicë (Vitak) quhet Symballi. Emri Katallan del edhe te G. Meyeri, por me kuptimin “pagan”.

Quhet edhe Vigan-i, Gjigant-i, Div-i, Dif-i, Lutran-i, Lutura, Katalla, Symoll-i (Mat), Symadh, Syqorr, Syqen, Syqenhenjeri, Sykëlysh, Tatëgjysh i Parë, Gavell-i (Sh. Gjecovi), Garravell-i (F. Alkaj), Dragumën-i (Frashnjet), Rekës-i (arbëreshët e Greqisë). Emri i tij rron edhe në toponimi: Fusha e Katallajve (Shllak), Vorret e Katallajve (Shllak), Përroi i Vigjanit (pranë Mullenës), si dhe në një patronim, të përmendur më 1517, M. Catalano në Tivar. Në shekullin XV, te arbëreshët e Italisë na del një Katallan, bashkë me disa familje Catalano.