Kryesore Katër kriteret e reja që duhet të plotësojnë shqiptarët për të udhëtuar...

Katër kriteret e reja që duhet të plotësojnë shqiptarët për të udhëtuar në Europë

Qytetarët shqiptarë nuk do të jenë më aq të lirë për të lëvizur në zonën Shengen nëse nuk plotësojnë disa rregulla të reja të vendosura së fundi.

Bëhet fjalë për katër kushte kryesore të përcaktuara në një urdhër apo plan masash që ka firmosur së fundi drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako.

Pas kërkesave të përsëritura të Francës dhe Gjermanisë, shteti shqiptar ka vendosur masa strikte në kufi për qytetarët që dalin jashtë shtetit në drejtim të zonës Shengen.

Masat do të zbatohen nga efektivat e policisë kufitare shqiptare në pikat e daljes nga vendi, si në Aeroportin e Rinasit, në pikat kufitare tokësore dhe në porte.

Qytetarët, të cilët nuk plotësojnë katër kriteret e vendosura, nuk do të lejohen të udhëtojnë dhe do të kthehen pas nga vetë policia kufitare shqiptare.

Urdhri i kryepolicit Haki Çako përmban në fakt 14 pika, por katër kushtet që ju kthejnë pas nëse nuk i plotësoni, janë vendosur në pikën e parë.

Pjesa tjetër e urdhrit kërkon që policia kufitare të tregojë më tepër kujdes e të verifikojë me imtësi dokumentet e udhëtarit dhe identitetin e tij në mënyrë që ta kthejë pas nëse ka shkelje të rregullave të zonës Shengen në të kaluarën e tij.

Po ashtu, Çako këkron që të shtohen kontrollet edhe ndaj agjencive turistike, për të cilat ka dyshime se mund të zhvillojnë udhëtime të organizuara për qëllime azili.

Në urdhër evidentohet se fenomeni e azilkërkuesve është kthyer në një shqetësim të madh që mund të rrezikojë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen.

Përveç Gjermanisë, qindra shqiptarë janë deportuar kohët e fundit nga Franca pas refuzimit të azilit.

KATËR KRITERET E REJA

Sipas urdhrit të Drejtorit të Policisë, çdo shqiptar që kalon kufirin duhet t’i tregojë policit shqiptar adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do të shkojë.

Kriteri i dytë është ftesa që pritësit në vendin e destinacionit ku kërkohet që kjo ftesë të përmbajë kontaktet e pritësit.

Kriteri i tretë është bileta apo rezervimi i biletës për kthim në Shqipëri në momentin e paraqitjes apo të nisjes për të dalë jashtë shtetit.

Pika e fundit në katër kriteret e vendosura është ajo e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit. Kjo pikë ndonëse e papërcaktuar në urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sipas një dokumenti zyrtar të ministrisë së Jashtme ka një vlerë konkrete.

“Po sa është kjo shumë? Vende të ndryshme kanë përcaktuar shuma të ndryshme. Përafërsisht kjo shumë nuk e kalon 50 euro dita, kur shtetasi ka një rezervim hoteli”, thuhet nga Ministria e Jashtme.

Ndërkohë, mësohet se në rastet kur nuk paraqitet rezervimi i hotelit, qytetarit mund t’i kërkohet të ketë me vete shuma deri në 100 euro për çdo ditë qëndrimi në zonën Shengen.