Bota Kelly Craft, ambasadorja e re e SHBA në OKB: Udhëheqja e Amerikës...

Kelly Craft, ambasadorja e re e SHBA në OKB: Udhëheqja e Amerikës është e rëndësishme

Kelly Craft, ambasadorja e SHBA në OKB

Ambasadorja amerikane në OKB Kelly Craft, filloi të enjten (12.09) punën në detyrën e re. Ditën e filloi me dorëzimin e kredencialeve Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, të cilit i siguroi se “do të punojë në partneritet me gjithë vendet anëtare të OKB, për ta bërë botën më të lirë dhe më të begatë”.

Pastaj ambasadorja Craft doli para gazetarëve me një deklaratë për shtyp, ku foli për krenarinë që ndjen të mbajë postin e ambasadores së SHBA në OKB, dhe premtoi se do të vazhdojë politikat e filluara nga administrata e presidentit Trump në OKB.

“Udhëheqja e Amerikës është e rëndësishme, kështu që unë do punoj për ta siguruar atë”, tha Craft. Ambasadorja deklaroi se “do të mbrojë vlerat dhe interesat e Amerikës”, do të mbështetet tek miqtë dhe aleatët, dhe do të luajë rolin e avokatit për të varfrit dhe të dobëtit.

Më pas ajo mori pjesë në Këshillin e Sigurimit, ku u diskutua sot gjendja në Republikën e Afrikës Qendrore, në Libi dhe Kolumbi.

Ambasadorja Craft i njeh Kombet e Bashkuara në Nju Jork, ku ka qëndruar si delegate në Asamblenë e Përgjithshme, e dërguar në 2007 nga presidenti Bush.

Ambasadorja Craft u emërua nga Presidenti Trump në postin e ambasadores të OKB në shkurt të këtij viti. Kur mori këtë emërim ambasadorja Craft ishte duke mbajtur postin e ambasadores amerikane në Kanada. Gjatë qëndrimit dyvjeçar atje ajo punoi për rishikimin e marrëveshjes të tregtisë së lirë të SHBA, me Meksikën dhe Kanadanë.

Ambasadorja Craft është sipërmarrëse dhe filantropiste nga Kentaki, ku ka mbajtur edhe disa poste lokale. Ajo i jep shumë rëndësi edukimit. Craft është e martuar, ka gjashtë fëmijë dhe është gjyshe e njëmbëdhjetë nipërve dhe mbesave./DW