Bota “Kemi 75 ditë rezerva naftë”, Vuçiç: Do të ndërtojmë naftësjellës që kalojnë...

“Kemi 75 ditë rezerva naftë”, Vuçiç: Do të ndërtojmë naftësjellës që kalojnë në Hungari dhe Shqipëri

Serbia do të ndërtojë një naftësjellës që do ta lidhë me burimet natyrore ruse, duke shmangur kështu masat kundër Kremlinit të vendeve perëndimore, dhe në të ardhmen një naftësjellës alternativ që kalon nga Maqedonia e Veriut dhe përfundon në Durrës.

Lajmin e dha Presidenti serb Aleksander Vuçiç këtë të shtunë kur ai ju drejtua popullit, duke sqaruar një seri masash dhe vendimesh që kishte paralajmëruar si të rëndësishme disa ditë më parë.

Naftësjellësi i parë, me kosto fillestare rreth 100 milionë euro, do të kalojë përmes Hungarisë, një nga aleatët e pakët europian të Rusisë, dhe do të jetë i gjatë rreth 128 kilometra.

Vendimi u mor nga autoritetet serbe pasi Kroacia ka pezulluar furnizimin me naftë ruse si pjesë e masave kundër pushtimit të Ukrainës.

Por ndërtimi i këtij naftësjellësi që niset në  Novi Sad drejt kufirit hungarez, është vetëm maja e ajsbergut të një plani energjetik më ambicioz, me vlerë rreth 12 miliardë dollarë, ku Beogradi ka në plan edhe ndërtimin e një naftësjellësi që përfundon në portin e Durrësit dhe një rafineri për naftën e Venezuelës, një nga partnerët e piketuar nga Beogradi për furnizimin me naftë.

Sipas Vuçiç, vendi ka rezerva nafte vetëm për 75 ditë, si dhe 200 mijë ton naftë bruto.

Presidenti serb foli edhe për Kosovën, ku njoftoi presionin ndërkombëtar për njohjen e Prishtinës në OKB, që sipas tij do të shkëmbehej nga Beogradi me një proces anëtarësimi shumë më të shpejtë në BE, por që për Beogradin ky propozim është ende i papranueshëm.