Politika Kërcënimi i Metës për shpërndarje të Parlamentit, socialistët: Nuk ka shans

Kërcënimi i Metës për shpërndarje të Parlamentit, socialistët: Nuk ka shans

Pas kërcënimit të Presidentit Ilir Meta për të shpërndarë Kuvendit, deputetët socialistë u shprehën se kjo nuk ka asnjë mundësi të ndodhë.

Në mbyllje të seancës së posaçme ku miratuan një rezolutë që e quan antikushtetues veprimin e Metës për të dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e shumicës komentuan veprimet e Presidentit.

“Kushtetuta flet qartë çfarë kompetencash ka Presidenti, çfarë ka Kuvendi, ju lutem mos u merrni me absurditete të tilla. Është populli ai që vendos për sovranin. Nuk ka asnjë shans”, tha Ulsi Manja.

Ndërsa ministri për Diasporën, Pandeli Majko uroi që mosmarrëveshjet të mos pështjellohen. “Ka disa nene të Kushtetutës që duhen vlerësuar. Nuk besoj që sherri politik në Shqipëri duhet të precipitojë në këto histori. Shqipëria ka të nevojshme në këtë situatë stabilitetin politik dhe vendosjen e dialogut mes palëve”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi në mbyllje të seancës se akti i Presidentit është antikushtetues. “Noteria në asnjë rast në botë nuk është parukeri. Kushtetutën nuk e zëvendëson dot kurrkush. Pikërisht Kushtetuta ka thënë që i katërti nuk bëhet dot i dyti. Për sa kohë që ka ndodhur një akt antikushtetues, qëndrojmë tek ai akt…”, tha Braçe.