Aktualitet “Kërcënuan nëpunësit e shtetit”, Braçe paralajmëron administratorët e Tajvanit dhe Havanës

“Kërcënuan nëpunësit e shtetit”, Braçe paralajmëron administratorët e Tajvanit dhe Havanës

Aksioni i ndërmarrë nga Tatimet në tregun e hoteli-turizmit për formalizimin e transaksioneve të tyre ka sjellë edhe përplasje mes biznesit dhe nëpunësve të shtetit.

Numri dy i qeverisë, Erjon Braçe, lëshoi një paralajmërim të qartë për administratorët dhe pronarët e njësive, duke veçuar 3 prej tyre.

Braçe: Do të doja ti çoja një apel të gjithë administratorëve apo pronarëve të njësive që gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë nën kontroll, kërcënimet përkundrejt nëpunësit të shtetit në detyrë do të ndëshkohen pa mëshirë. I kujtoj administratorit të Tajvanit këtu, apo administratorëve të Havanës dhe Azulit në Dhërmi që të bëjnë kujdes se çdo kërcënim ndaj punonjësit të shtetit që janë paraqitur pranë subjektit të tyre që do të përballen me ligjin deri më një.Çdo germë e artikuluar ndaj punonjësit të shtetit në detyrë si kërcënim do të trajtohet si krim dhe pavarësisht se presidenti nuk na e dha mundësinë që kodi penal të hynte në fuqi tani ne do të zbatojmë maksimumin e mundshëm që na jep ligji për të ndëshkuar secilin prej tyre.

Zëvendëskryeministri tha se nuk kërkojnë asgjë nga këto sipërmarrje përveç detyrimeve ligjore, kuponin tatimor për çdo blerje dhe shitje malli dhe shërbimi.

Braçe: Janë mbyllur disa njësi të mëdha ashtu siç janë gjobitur disa të tjera që janë kapur në shkelje për herë të parë. Ne nuk na duhet as gjoba dhe as mbyllja e njësisë së tyre. Ne duam që ata të punojnë ligjërisht, të fitojnë ligjërisht dhe të paguajnë detyrimet ligjore dhe fiskale. Gjithkujt që ka nisur këngën e vjetër “për një kupon po i mbyllni”, dua ti them se po bëjmë atë që parashikon ligji.

Braçe tha se Administrata Tatimore është urdhëruar ti shkojë ligjit deri në fund.