Aktualitet Kërkohen 35 vite burg për nusen që helmoi vjehrrën me lëng portokalli

Kërkohen 35 vite burg për nusen që helmoi vjehrrën me lëng portokalli

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 35 vite burg për Marjana Cmetën, e cila akuzohet se vrau vjehrrën e saj përmes helmimit në 30 prill të vitit të shkuar.

Pas krimit, ajo ka shkuar tek hoxha Hysen Shehu duke rrëfyer krimin e rëndë. Shehu e regjistroi bisedën mes tyre duke ia dorëzuar edhe të afërmve të të ndjerës, ndërsa prokuroria e akuzoi për moskallëzim krimi.

Ndërkohë,  gjykata ka pushuar çështjen për Shehun, i cili akuzohej se nuk e kallëzoi krimin e rrëfyer nga Cmeta.

Videon e ka parë i pari pikërisht bashkëshorti i Cmetës, Olti Lami i cili ka deklaruar më pas para oficerëve të Policisë Gjyqësore: “I kishte thënë që këtë lëng e kanë pirë të gjithë dhe se do na bënte mirë për të mos patur probleme”.

Ajo i tregonte hoxhë Hysenit që erën e fortë që kishte patur lëngu për shkak të helmit, e kishte justifikuar tek mamaja duke i thënë asaj që erën e ka për shkak se e kishte bërë Hoxha dhe e kishte siguruar që e kishin pirë të gjithë.

Marjana në video thotë se pas një ore nga momenti që i kishte dhënë lëngun, kishte shkuar tek dhoma e mamit për ta parë dhe aty e kishte gjetur të shtrirë në cepin e krevatit dhe se mamaja e kishte parë me shikim të vrazhdë, për këtë shkak Marjana kishte menduar se nuk kishte bërë efekt helmi.

Pas kësaj Marjana shpjegon se kishte shkuar tek dhoma ku flinin dhe kishte marrë një shall dhe ja kishte lidhur në fyt për ta mbytur. Mamaja kishte dashur të hapte dritaren e dhomës për të thirrur për ndihmë, por Marjana e kishte kapur dhe nuk e kishte lënë të bërtiste dhe të hapte dritaren.

Marjana shpjegon se e kishte kafshuar mamanë pa vetëdije dhe se ishin kacafytur në korridorin e shtëpisë dhe shpjegonte se mamaja kishte patur shumë fuqi.

Nusja me vjehrrën ishin zënë fizikisht 5 muaj para se e reja ta helmonte. Vetë djali i të ndjerës që pas ngjarjes u divorcua me nusen, thoshte se ajo ja kishte kapur nënën për flokësh dhe e gjuante dhe se ka ndërhyrë ai për t’i ndarë.

E reja i ofroi vjehrrës një lëng portokalli në të cilin kishte hedhur helm minjsh, duke ja paraqitur si një lëng të përgatitur nga hoxha në mënyrë që të merrnin fund sherret mes tyre.

Më pas duke parë që viktima nuk po ndërronte jetë, nusja ka kryer dhe veprime fizike duke e mbytur me shall dhe pas reagimeve të viktimës e ka kafshuar në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit. Më pas ka njoftuar vëllain e burrit të viktimës, banesa e të cilit ka qenë pranë dhe e kanë transportuar për në spital duke e paraqitur si të vetëhelmuar.