Aktualitet Kërkohet nga Spanja, gjykata vendos 40 ditë burg për drejtorin e Ujësjellësit...

Kërkohet nga Spanja, gjykata vendos 40 ditë burg për drejtorin e Ujësjellësit Kurbin

Gjykata e Kurbinit ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg 40 ditë për drejtorin e Ujësjellësit të Kurbinit, Alfred Prodani, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kërkohet nga autoritetet spanjolle.

Prodani u arrestua pak ditë më parë pas kërkesës së Spanjës, që e kërkon për grabitje me dhunë të banesave.

Alfred Prodani ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle që prej vitit 2013, ndërsa në vendin tonë ai ishte drejtor i Ujësjellësit të Kurbinit.

Urdhër-arresti ndërkombëtar për vjedhjen e dhjetëra vilave në Spanjë, nuk e pengoi 41-vjeçarin të ulej në zyrat shtetërore dhe të mbante prej vitesh detyrën e drejtorit.

Një nga vilat që dyshohet se Prodani bashkë me persona të tjerë të kenë grabitur është ajo e yllit të Real Madrid, sulmuesit Karim Benzema.