Bota Kërkuan pavarësinë, 9 liderë katalanas dënohen me burg

Kërkuan pavarësinë, 9 liderë katalanas dënohen me burg

Oriol Junqueras, zëvendëspresidenti i Qeverisë së Katalunjës, i dënuar me 13 vite burgim.

Gjykata Supreme e Spanjës ka dënuar 9 liderë separatistë katalanas me dënime nga 9 deri në 13 vite burgim, për rolin që kanë luajtur në përpjekjet për të mbajtur referendumin për pavarësinë e krahinës autonome në vitin 2017. Tre udhëheqës të tjerë që u shpallën fajtor për mosbindje nuk do të kryejnë dënime me burg. Të 12 politikanët dhe aktivistët i kishin mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre.

Dënimin më të madh e mori Oriol Junqueras, zëvendëspresidenti i Qeverisë së Katalunjës, i cili u dënua me 13 vite burgim i shpallur fajtor për kryengritje dhe shpërdorim detyre. Ndërsa pjesa tjetër e vartësve të tij në qeveri, si Raül Romeva, Dolors Bassa dhe Jordi Turull, u dënuan me 12 vite burg, për të njëjtat akuza.

Gjykata vendosi të mos shpallte asnjërin prej te akuzuarve fajtor për “rebelim”, akuzë për të cilën mund të dënoheshin deri në 25 vite burgim.