Opinione Kësaj loje i ka dalë çdo lloj boje! Ka kufi çdo gjë,...

Kësaj loje i ka dalë çdo lloj boje! Ka kufi çdo gjë, nuk ja vlen më!

Nga Artan Fuga

Unë e di nga përvoja ime si pedagog. Dikur kur studentët nuk kishin bërë detyrat ose nuk donin të bënin ndonjë test sepse nuk ishin përgatitur, krijonin një problem tjetër për t’a shtyrë ose harruar atë që i bezdiste. Dikush bënte si i sëmurë.

Dikujt tjetër i vdiste e njëjta mace për herë të katërt. Dy grindeshin me njëri-tjetrin. Ca harronin fletoren në shtëpi.

Shanin njëri-tjetrin dhe bënin sikur nxeheshin duke bërtitur që të anullohej ora e mësimit. Ca vazhdonin lojën në palestër dhe vonoheshin duke larë djersën në lavamanët e ËC. Dikush bënte shakara bajate. Njeri i vinte stërkëmbëshin tjetrit.

Ndokush edhe hapte kapakun e ndonjë shisheje me lëng me erë të keqe.

Në fillim nuk i kuptoja dhe anulloja testin, duke e quajtur rastësi ndodhinë e radhës, pastaj u ndërgjegjësova dhe vazhdoja provimin.

Këtë mendova kur lexova se deputetët ishin kontrolluar te dera e Kuvendit. Pse do të kontrolloheshin? Kot fare. Por, kur deshën t’i kontrollonin përse pranuan?

Përse nuk ikën pa hyrë? Pse hynë pasi u kontrolluan dhe pastaj ankohen se përse u kontrolluan?

Cilit provim kërkojnë t’i shmangen?

Kjo është pyetja.

Mund të supozohej se është teknika e opozitës që të vonojë punimet e seancave, si obstruksion, e natyrshme për opozitat, por ata që kontrolluan xhepat e deputetëve nuk komandohen nga opozita, janë rojat e Gardës.

Rojat kontrollojnë dhe deputetët e opozitës nuk ikin, por hyjnë dhe pastaj ankohen jashtë temës në seancë.

Ne presim si qytetarë që deputetët tanë të legjiferojnë, dhe si shpërblim për taksat që paguajmë marrim spektakle me konflikte të stisura që përsëriten pa fantazi.

Kujdes: Kësaj loje i ka dalë çdo lloj boje.