Kryesore Këshilla amerikane për qeverinë dhe opozitën shqiptare

Këshilla amerikane për qeverinë dhe opozitën shqiptare

Ambasadori Philip Reeker, i cili aktualisht është Këshilltar i Komandantit të Forcave amerikane në kontinentin e vjetër, e që së shpejti pritet të marrë detyrën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Europën ka komentuar situatën politike në Shqipëri.

Zyrtari i lartë amerikan ka theksuar se janë bërë shumë përpjekje në rrugën e reformave, por se duhet çrrënjosur korrupsioni, të ristrukturohen institucionet kyçe të sundimit të ligjit dhe të reformohet gjyqësori.

“Askush nuk qëndron mbi ligjin. Në mënyrë që të hapen bisedimet zyrtare për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet të luftojë krimin e organizuar dhe të tregojë se askush nuk qëndron mbi ligjin”, ishte komenti i zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ambasadori Reeker tha se të gjitha partitë duhet të tregojnë se ndajnë synime të njëjta.

“Të gjitha partitë politike pohojnë se ndajnë të njëjtin qëllim: që Shqipëria të aderojë në Bashkimin Evropian. Por, opozita doli në rrugë dhe i dorëzoi mandatet e saj; duhet bërë punë urgjente brenda procesit demokratik. Çdo shtet anëtar i BE dhe ata që aktualisht janë aspirantë të BE-së do t`ju thonë se kjo duhet të jetë një përpjekje e të gjithë qeverisë, madje në fakt e të gjithë shoqërisë. U bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë të demonstrojnë vullnet politik dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive brenda institucioneve demokratike të Shqipërisë, për t’i çuar reformat përpara. Dhe nëse partitë e ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të protestuar, kjo duhet bërë në mënyrë paqësore”, deklaroi Reeker.

Philip Reeker i bëri deklaratat gjatë një konference në Shkup të organizuar Fondi gjerman Marshall në SHBA.