Shëndet Këshillat e mjekut: Diabeti, këshilla për ta mbajtur nën kontroll

Këshillat e mjekut: Diabeti, këshilla për ta mbajtur nën kontroll

Diabeti është një sëmundje kronike, që ndodh kur pankreasi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme ose kur trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën, duke çuar në nivele të larta të glukozës në gjak (hiperglicemi).

Ka tre lloje kryesore diabeti: Diabeti i tipit 1 (i quajtur “diabet i varur nga insulina”) shkaktohet nga mosprodhimi i insulinës. Diabeti i tipit 2 (i quajtur “diabet i pavarur nga insulina”) vjen ngaqë trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare mjeku endokrinolog Florian Toti në Qendrën Universitare Spitalore ”Nënë Tereza” dha disa këshilla mbi këtë sëmundje e cila përveç medikamenteve ka si hallka kryesore për ta mbajtur nën kontroll, dietën dhe aktivitetin fizik.

Cilat janë shenjat e para të diabetit që pacienti duhet të shqetësohet?

Personat duhet të fillojnë të dyshojnë për diabetin nëse vënë re një urinim të shtuar sidomos gjatë natës, nëse vënë re një etje të shtuar dhe gjithashtu nëse konsumojnë rregullisht ushqim po kanë një rënie graduale në peshë dhe së fundmi nëse ata ndihen të lodhur pa ndonjë shkak. Këto shenja janë prezente në atë që ne e cilësojmë diabet tip 1 dhe më pak të shprehura dhe shpesh zbulohet rastësisht diabet tip 2 ku këto shenja dhe mund të mungojnë. Por nuk do të thotë që po pate këto shenja ke patjetër diabet.

Si vendoset diagnoza e diabetit?

Diagnoza e diabetit vendoset nëpërmjet matjes së glicemisë.Nëse glicemia esëll është më pak se 110 ajo quhet normale nëqoftëse glicemia pas ushqimit është më pak se 140 prapë quhet normale. Për të vendosur nëse ke diabet ose jo janë vlerat e standardizuara në gjithë botën.

Cilat janë grupmoshat më të prekura nga kjo sëmundje?

Duhet të bërë një dallim kur flasim për diabetin tip 1 ose atë që quhet diabeti i të rinjve i cili zakonisht fillon në moshë nga 25 -30 vjeç, por kjo s’do të thotë që një person 70 vjeçar smund të preket nga ky lloj diabeti. Diabeti i tipit 2 zakonisht fillon mbas moshës 40 vjeç por ajo që po vihet re në gjithë botën është që ky lloj diabeti po shfaqjet më herët nga mosha 20 deri në 25 vjeç, madje ka dhe fëmijë me diabet tip 2. Gjithsesi grupmosha më e rrezikuar për këtë lloj diabeti është mosha mbi 40 vjeç. Pjesa më e madhe e personave në botë rreth 90% e tyre kanë diabet të tipit 2.

Cilët janë faktorët që ndikojnë dhe personat më të rrezikuara që preken nga sëmundje?

Mosha është një faktor i rëndësishëm dhe kuptohet sa më shumë rritet mosha aq më tepër rritet rreziku përt tu prekur nga diabeti. Personat të cilët kanë në familjen e tyre të afërm me diabet janë gjithashtu më të rrezikuar por kjo s’do të thotë se domosdoshmërisht duhet të ndodh kështu. Gjithashtu gratë që kanë lindur fëmijë me peshë mbi 4 kg kanë një risk më të madh për diabet. Prapë tek femrat që kanë patur diabet gjatë shtatzanisë i cili është një formë e veçantë diabet i cili shfaqjet në shtatzani dhe zhduket më pas edhe këto janë grupe të rrezikuara. Personat obez pra që kanë dhjamosje sidomos në regjionin e barkut janë të rrezikuar, ata që kanë hipertension janë në rrezik gjithashtu jeta sedentare është një faktor tjetër risku për diabetin tip 2. Gjithashtu ka raca të cilat janë më të rrezikuara po ne që jemi racë e bardhë riskun për diabet tip 2 e kemi të ulët. Romët dhe egjiptianët janë më të rrezikuar për diabetin tip 2 sesa popullata e bardhë. Risk për diabet kanë dhe personat që përdorin medikamente ku më të rrezikuarit janë kortizonikët dhe cilësohet dhe si diabet i marr nga koha e gjatë e përdorimit të kortizonit.

Cilat janë medikamentët që përdoren për diabetin?

Medikamentët janë në një gamë të pafundme ku pjesa më e madhe e tyre janë prezent dhe në tregun shqiptar. Por ashtu siç nuk ka dy persona që të jenë totalisht njësoj me njëri-tjetrin nuk ka dhe dy medikamente që të jenë totalisht të njëjtë në efekt në dy persona të ndryshëm. Pra për çdo person me diabet duhet menduar cili është medikamenti më i përshtashëm. Medikamenti më i përdorur për personat që vuajnë nga diabeti tip 2 është Metformina i cili është një medikament që ka një mekanizëm veprimi shumë të mirë sepse pakëson prodhimin e sheqerit nga mëlçia gjithashtu frenon deri diku oreksin, vonon zbrazjen e ushqimit nga stomaku pra nuk e ngre shumë gliceminë pas ushqimit pra ndjenja e urisë vjen më vonë. Insulina është medikamenti tjetër shumë i rëndësishëm për diabetin sidomos për diabetin në moshat e reja aty ku organizmi nuk është në gjendje ta prodhoj vet insulinën por është i detyruar ta marri nga jashtë. Në këto raste mungesa e mjekimit me insulinë është vdekjeprurëse për personin. Diabeti i tipit 1 duhet të diagnostikohet sa më shpejt sepse personi rrezikon jetën.

Si ta luftojmë diabetin pa medikamente?

Dieta ushqimore përcaktohet në varësi të personit, moshës, peshës trupore, aktivitetit fizik, sëmundjeve të tjera që ai ka pra të gjitha merren në konsideratë. Dieta dhe aktiviteti fizik janë dy hallkat e para që nuk duhet të mungojnë në trajtimin e diabetit. Nuk ka asnjë medikament që ne të hamë dhe të pimë njëlloj si më parë. Pikërisht kjo është ajo që e bën diabetin pak të vështirë sepse duhet që vetë pacienti të merret çdo ditë dhe çdo moment me këtë sëmundje.

Dieta është hapi i parë e cila fillon nga strukturimi i regjimit ushqimor me 3 vakte kryesore afërsisht me 6 orë distancë nga njëri-tjetri dhe me dy vakte të ndërmjetme afërsisht me 2 ose 3 orë distancë nga vaktet e tjera. Pra, duhet të ushqehemi të paktën 5 herë në ditë po jo në sasi të madhe

Ajo që është e përgjithshme është që në çdo vakt mëngjes, drekë dhe darkë buka, orizi dhe makaronat nuk duhet të mungojnë. Në dietë duhet të fusim dhe dy tre fruta në ditë gjithashtu duhet të ketë dy racione në ditë me qumësht dhe kos. Nuk ka produkte ushqimore për diabetik produktet që duhet të përdorin personat diabetik janë produktet që përdorim të gjithë. Buka rekomandohet të jetë ajo me fibra ajo që quhet bukë e zezë.

Aktiviteti fizik është hallka e dytë shumë e rëndësishme ku çdo ditë të kemi të paktën 1 orë aktivitet fizik i cili nuk nënkupton vetëm palestrën por edhe ecja dhe lëvizja

A ka lidhje konsumimi i lartë i sheqerit me prekjen nga diabeti?

Ka shumë persona që thonë si u bëra unë me diabet kur nuk ka konsumuar ëmbëlsira. Sheqeri nuk merret vetëm nga ëmbëlsira. Karbohidrata ka edhe buka, fruti, qumështi, makaronat pra sheqerin e marrim kudo. Pra po more përditë 10 feta bukë zëre se e hëngre ëmbëlsirën po më mirë ha 4 feta bukë dhe haje një copë ëmbëlsirë.

A është diabeti siç quhet ‘sëmundja’ e të pasurve?

Diabeti është sëmundje e të pasurve në vendet e pasura dhe sëmundja e të varfërve në vendet e varfra. Ka shumë më tepër persona të varfër me diabet pasi ata janë të detyruar të konsumojnë një ushqim që nuk është cilësor, që është i pasur me yndyrna dhe rrjedhimisht rrezikon më tepër për të krijuar insulinë rezistencën që është baza e diabetit tip 2.