Aktualitet Kim takon 15 prokurorët e SPAK: Do hetohen të gjithë individët që...

Kim takon 15 prokurorët e SPAK: Do hetohen të gjithë individët që pasurohen përmes krimit e korrupsionit

Ambasadorja Yuri Kim është takuar me 15 prokurorët e SPAK-ut. Takimi është zhvilluar ditën e djeshme, ku ajo iu ka shprehur vlerësimin për punën e bërë dhe ndjekjet penale që kanë rezultuar të suksesshme.

Në njoftimin e shpërndarë nga ambasada amerikane, Kim ka dhënë dhe një mesazh për pandëshkueshmërinë. Ajo thotë se askush nuk është mbi ligjin dhe se SPAK do të çojë para drejtësisë të gjithë ata që dëmtojnë shqiptarët dhe pasurohen përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Së bashku, ata do të ndjekin penalisht dhe do bëjnë përgjegjës ata që dëmtojnë shqiptarët dhe pasurojnë vetveten përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit. Askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po merr fund”, thuhet në njoftim.

Kryediplomatja amerikane ka theksuar se bashkimi i 28 hetuesëve të BKH-së në luftën kundër krimit dhe korrupsionit është një lajm i mire. Sipas saj, kjo do të sigurojë ndërtimin e çështjeve të forta nga SPAK.