Kuriozitete Kina do të arrijë të modifikojë motin brenda 5 vitesh

Kina do të arrijë të modifikojë motin brenda 5 vitesh

Kina ka zbuluar, këtë javë, planet e saj për të zgjeruar ndjeshëm programin eksperimental për modifikimin e motit, pasi do ta shtrijë në një sipërfaqe prej 5,5 milionë kilometrash katrorë, mbi 1,5 herë më të madhe se India.

Sipas një deklarate të Këshillit të Shtetit, Kina do të ketë “zhvilluar sistemin e modifikimit të motit” brenda vitit 2025, falë kërkimeve thelbësore dhe teknologjive kyçe, si dhe “përmirësimeve në parandalimin e rreziqeve”.

Sipas deklaratës, programi do të ndihmojë në rimëkëmbjen pas fatkeqësive natyrore, do të rrisë prodhimin bujqësor, do të përmirësojë përgjigjen ndaj zjarreve dhe thatësirave të shkaktuara nga temperaturat e larta.

Prej kohësh, Kina kërkon të kontrollojë motin, për të mbrojtur zonat bujqësore dhe për të siguruar mot të kthjellët për evenimente të ndryshme, si tubimet politike që mbahen në kryeqytetin kinez, ku qielli është gjithmonë i pastër falë modifikimit të motit dhe mbylljes së fabrikave aty pranë.

Kjo arrihet përmes “farëzimit të reve”, një koncept i zbatuar prej dekadash tashmë, që arrihet duke futur sasi të vogla jodur argjendi në retë me shumë lagështirë, që kësisoj kondensohen, rëndohen dhe bien. Në periudhën 2012-2017, Kina ka investuar 1,34 miliardë dollarë në programe të ndryshme të modifikimit të motit. Sipas agjencisë së lajmeve “Xinhua”, modifikimi i motit ka ndihmuar vitin e kaluar në uljen me 70% të dëmtimeve nga breshëri në rajonin perëndimor të vendit, Xinjiang, një zonë kyçe për bujqësinë.

Dhe ndërsa vendet e tjera gjithashtu kanë investuar në mbjelljen e reve, përfshirë SHBA-në, entuziazmi i Kinës për teknologjinë ka krijuar një alarm, veçanërisht në Indinë fqinje, ku bujqësia varet shumë nga shirat musonikë, të cilat tashmë janë ndërprerë dhe janë më pak të parashikueshëm, si rezultat i ndryshimit të klimës.

Megjithëse fokusi kryesor i modifikimit të motit duket të jetë i brendshëm, ekspertët kanë paralajmëruar se ka potencial për ndikim përtej kufijve të vendit.

Disa ekspertë kanë spekuluar se suksesi në modifikimin e motit mund ta çojë Kinën në miratimin e projekteve më ambicioze gjeoinxhinierike, veçanërisht pasi vendi vuan nga efektet e ndryshimit të klimës.

Zgjidhje radikale të tilla si mbjellja e atmosferës me grimca reflektuese teorikisht mund të ndihmojnë në uljen e temperaturave, por gjithashtu mund të kenë pasoja të mëdha të paparashikuara, dhe shumë ekspertë kanë frikë se çfarë mund të ndodhte nëse një vend do të eksperimentonte me teknika të tilla.

“Pa rregullore, përpjekjet e një vendi mund të ndikojnë në vendet e tjera”, sipas Dhanasree Jayaram, një ekspert klimaterik në Akademinë e Arsimit të Lartë Manipal në Karnataka, India.