Ekonomi Kina do ‘zbarkojë’ edhe në Durrës, porti shqiptar bëhet pjesë e itinerarit...

Kina do ‘zbarkojë’ edhe në Durrës, porti shqiptar bëhet pjesë e itinerarit të Mesdheut

‘Aleanca e Oqeaneve’ njoftoi të enjten se do të shtojë së shpejti portin e Durrësit në itinerarin që do të ndjekin anijet që transportojnë mallra nga Kina në Mesdhe.

“Ocean Alliance” është një marrëveshje për shkëmbimin e anijeve mes disa prej kompanive më të mëdha të transportit të botë. Ajo ofron aktualisht 6 itinerare dhe njëri prej tyre është Azi-Mesdhe.

Kjo nënkupton se 41 anijet që nisen 71 herë në javë nga Qingdao në Kinë do të jenë të detyruara të bëjnë një ndalesë edhe në portin e Durrësit.

Aktualisht itinerari është si vijon: Qingdao, Busan, Shanghai, Ningbo, Xiamen, Nansha, Yantian, Singapore, Malta, Valencia, Barcelona, Marseilles-Fos, Genoa, Malta, Beirut, Jeddah, Dubai Jebel Ali, Port Kelang, Xiamen dhe përsëri në Qingdao.

Ndërkohë sipas njoftimit, ngarkesat do të shkojnë pas Maltës në Durrës dhe Selanik. Kjo pritet të japë një efekt në sasinë e mallrave të transportuar në portin më të madh të vendit.

Sipas Aleancës së Oqeaneve, porti i Durrësit është shtuar për shkak të kërkesave nga sipërmarrësit globalë.

“Zgjerimi i rrjeteve të shërbimeve MX1 dhe MX2 tregon rëndësinë e të ofruarit një ndërlidhje globale. Dërguesit nga Azia Veriore me një interes për të penetruar në tregjet europiane të Shqipërisë, Greqisë, Rusisë dhe Gjeorgjisë tani mund të mbështeten tek shërbimi ynë”, thotë kompania.

Për t’i dhënë një perspektivë sasisë së ngarkesës së transportuar, në të gjithë vendin deri në muajin Gusht u transportuan 2.6 milionë ton mallra përmes rrugëve detare. Ndërsa kapaciteti javor i itinerarit MX1 është 6.8 milionë ton.

Hapja drejt tregut shqiptar mund të sjellë shtimin e importeve nga Kina, ose kthimin në një vend tranzit për mallra që shkojnë drejt fqinjëve të rajonit.(Scan)