Aktualitet Kina i përgjigjet thirrjes së Shqipërisë, dhuron teste për COVID-19

Kina i përgjigjet thirrjes së Shqipërisë, dhuron teste për COVID-19

Ambasada kineze në Tiranë ka dhuruar për Institutin e Shëndetit Publik, teste për COVID-19. Në deklaratën e ISHP-së nuk bëhet i ditur numri i testeve të dhuruara, por shprehet falënderim për qeverinë e Kinës.

“Instituti i Shëndetit Publik falënderon ambasadën kineze në Tiranë për mbështetjen që i bëri sot duke dhuruar teste për COVID-19. Kjo nuk është vetëm një ndihmë në këto momente të vështira, por edhe një gjest bujarie i një vendi të madh dhe me zemër akoma edhe më të madhe. Falënderime dhe mirënjohje pa fund qeverisë kineze për kujdesin e treguar ndaj popullit shqiptar”, thuhet në një deklaratë të ISHP-së.

Ambasadori i Kinës në Tiranë, Zhou Ding, gjatë një interviste me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania deklaroi se, pala kineze po studion kërkesën për ndihmë që ka bërë Shqipëria për qeverinë kineze.

“Jam i bindur se do të ketë një përgjigje pozitive. Kina dhe Shqipëria gëzojnë një miqësi tradicionale dhe shpresojmë që pas kësaj situate kjo miqësi do të thellohet edhe më shumë”, u shpreh diplomati.