Bota Kina ka një “armik” të ri që disa vite më parë as...

Kina ka një “armik” të ri që disa vite më parë as që e mendonte

Fuqia e dytë ekonomike në botë po përballet me një “armik” që disa vite më parë as që e mendonte: tkurrjen demografike. Kina i ka ndryshuar dy herë vitet e fundit politikat për lindjen e fëmijëve dhe aktualisht lejon secilin çift të ketë maksimumi tre fëmijë. Por mesa duket as kjo nuk mjafton. Pritet që shteti komunist të heqë kufirin për lindjet. Kjo pasi pavarësisht masave të viteve të fundit, lindjet kanë rënë. Kina po plaket. Dhe “motori” i rritjes së saj të jashtëzakonshme ekonomike – e njëjta rritje që e bëri Kinën fuqinë e dytë botërore – tani mund të ngecë.

Sipas “The Wall Street Journal”, Kina po studion eliminimin e të gjitha kufizimeve në kontrollin e lindjeve deri në vitin 2025, në fund të planit aktual pesë-vjeçar. Më konkretisht, plani parashikon një eliminim gradual të kufizimeve duke filluar nga provincat me shkallën më të ulët të lindshmërisë, për të kaluar më pas në shkallë kombëtare.

A do t’i shërbejë kjo qasje e re, e zgjedhur nga vetë Presidenti kinez Xi Jinping, ndryshimit të trendit demografik të gjigantit aziatik? Dyshimet nuk janë pak. Për analistët dhe demografët, “politika një çift – 1 fëmijë”, e cila nisi zbatimin në 1980 për të përmbajtur rritjen e vendit – një eksperiment gjigant në inxhinierinë sociale që solli si pasojë aborte të detyrueshme, sterilizime dhe kontrolle brutale – ka plagosur thellë shoqërinë kineze. Duke krijuar një dinamikë që do të jetë e vështirë të “riparohet”.

Një gjë është e sigurt: numrat dëshmojnë për krizën demografike që po kalon Kina. Në vitin 2020, vendi tregoi një ngadalësim të lindjeve për të katërtin vit radhazi, në 12 milionë, me një rënie prej 22% krahasuar me 14.65 milion lindje të reja në 2019. Shkalla e lindshmërisë, e barabartë me 1.3 lindje për grua në 2020, rezulton do të ishte shumë nën 2.1 e nevojshme për të mbështetur rritjen e popullsisë.

Të dhënat e regjistrimit të fundit kombëtar – i shtati – i shpallur në fillim të majit, vërtetoi plakjen e popullsisë kineze, sot në 1.411 miliardë njerëz: për herë të parë Kina ka një numër të njerëzve mbi 60 vjeç (264, 02 milion njerëz) më të lartë se ajo nën 14 vjeç (253.38 milion). Në dekadën që mbulon regjistrimi i fundit, popullsia e Kinës u rrit me 5.38% (72.06 milion njerëz), me një normë vjetore rritjeje prej 0.53%, poshtë normës tashmë të ulët të rritjes. Të dhënat tregojnë një rënie të njëkohshme të grupmoshës në punë dhe një rritje të popullsisë së moshuar.

Kinezët nën 14 vjeç përbëjnë 17.95% të popullsisë – ishin 16.6% në 2010 – ndërsa 894.38 milion njerëz, 63.35% e totalit, tani janë midis 15 dhe 59 vjeç, me rënie 6, 79% krahasuar me shifrën e vitit 2010. Moshat mbi  60 arrijnë 264,02 milionë, 5,44% më shumë se në 2010 dhe përbëjnë 18,7% të popullsisë. Disbalancat gjinore, të trashëguara nga praktika e aborteve selektive, janë lehtësuar pak pas futjes, në 1979, të politikës me një fëmijë: në Kinë sot ka 105.07 burra për çdo 100 gra. Raporti ishte 111.3 burra për çdo 100 gra në 2010.