Ekonomi Kina kundër Trump: Nuk ka fitues në një luftë tregtare

Kina kundër Trump: Nuk ka fitues në një luftë tregtare

Shpërndaje

Lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara do të cënojë ekonominë botërore, sipas zyrtarëve kinezë, ndërkohë që Pekini ka shtuar kritikat mbi tarifat e propozuara nga Uashingtoni.

Pas presioneve nga vendet aleate, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mundësinë e përjashtimeve nga tarifat prej 25% të importeve të çelikut dhe 10% të aluminit, të caktuara nga presidenti Donald Trump gjatë javës së kaluar.

Zyrtarët e Bashkimit Europian dhe Japonisë i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i përjashtojnë nga këto masa.

Megjithatë, objektivi i vërtetë i Trump është Kina, që me zgjerimin e vrullshëm të kapacitetit ka sjellë mbushjen e tregjeve globalë të çelikut.

Zyrtarët në Kinë kanë përsëritur se vendi do të mbrojë të drejtat dhe interesat nëse shënjestrohet nga SHBA.

“Nuk ka fitues në një luftë tregtare. Kjo do të përkeqësojë ekonominë e Kinës, Shteteve të Bashkuara dhe gjithë botës”, tha Ministri i Tregtisë në Kinë,  Zhong Shan,  duke shtuar se duhet bërë bisedime.

Shtetet e Bashkuara përbëjnë importuesin më të madh të çelikut në botë, me  blerjet që arritën në 35 milionë tonë në 2017-ën.

Nga këto, Koreja e Jugut, Japonia, Kina dhe India, përbënin për 6.6 milionë tonë.