Aktualitet Kinë/ Studenti shqiptar: Shumë frikë, sa zgjohemi kontrollojmë veten nëse jemi infektuar

Kinë/ Studenti shqiptar: Shumë frikë, sa zgjohemi kontrollojmë veten nëse jemi infektuar

Në Kinë situata është mjaft kritike, ndërsa numri i të prekurve nga koronavirusi vazhdon që të shtohet. Autoritetet kanë shprehur shqetësimin se virusi ka gjasa të mëdha të përhapet, ndërkohë që mbi 56 milionë persona janë izoluar.

Deri më tani kanë humbur jetën 56 persona, ndërkohë që sipas autoriteteve numri i të prekurve është rreth 2 mijë. Por sipas medieve lokale, numri i të prekurve është shumë herë më i madh.

Në Kinë ka edhe shqiptarë të cilët punojnë apo studiojnë aty. Sefer Vrana është një student shqiptar në provincën Guandon të Kinës. Ai tregon momentet e vështira që po kalon.

“Frika është shumë e madhe, ngrihemi çdo ditë dhe shikojmë mos jemi të prekur. Frika është shumë e madhe, zgjohemi në mëngjes dhe kontrollojmë veten mos kemi temperaturë apo dhimbje bajamesh”, tha ai për Abc news duke shtuar: “Në qytetin ku unë jetoj rreziku është i lartë nëse e krahasojmë me qytetet të tjera është më ndryshe. Por për shkak se shpërndarjes bëhet e shpejtë po shtohet edhe numri i të prekurve”.

Ai shton se jeta është bërë shumë vështirë, sidomos tre ditët e fundit. “Ne nuk po dalim. Deri para tre ditësh kishim mundësi edhe të dilnim, por së fundmi jemi munduar të qëndrojmë në shtëpi, edhe në momentin që duam të dalim jashtë vendosim maske. Mundohemi të mos prekim në shumë vende, dhe kur kthehemi lajmë duart sepse rreziku është shumë i madh. Frika është shumë e madhe, zgjohemi në mëngjes dhe kontrollojmë veten mos kemi temperaturë apo dhimbje bajamesh”.

Vrana shprehet se ka kontakte me shqiptarë të tjerë që janë në Kinë, por askush nuk shkruan se ka ndonjë problem. “Por mundohemi t’i japim kurajë njëri-tjetrit”.

Sipas tij, numri i të prekurve është shumë i madh.

“Nëpër raportime thuhet sikur janë 2 mijë, por mendohet se ka një prekje deri në 90 mijë vetash, e ka thënë një kineze që punonte në spital”.