Kuriozitete “Kini kujdes”/ Flet i mbijetuari i fundit i gripit spanjoll të 1918-ës

“Kini kujdes”/ Flet i mbijetuari i fundit i gripit spanjoll të 1918-ës

Jose Ameal Pena ishte katër vjeç kur gripi i vitit 1918 preku qytetin e tij të vogël në veri të Spanjës.

Më shumë se një shekull më vonë, Ameal Pena – që besohet të jetë i vetmi i mbijetuar i gjallë i Spanjës nga ajo pandemi, e cila thuhet të jetë më vdekjeprurësja në historinë njerëzore – ka një paralajmërim ndërsa bota përballet me Covid-19.

“Kini kujdes”, tha ai. “Unë nuk dua të shoh të njëjtën gjë të përsëritet. Ajo mori shumë jetë”.

Gripi i vitit 1918, i njohur si gripi spanjoll pasi mediat e atij vendi ishin ndër të parët që raportuan për të, vrau rreth 50 deri në 100 milionë njerëz nëpër botë.

Në qytetin e Luarca të Ameal Penas ajo mori jetën e 500 personave – një e katërta e popullsisë së qytetit prej 2,000 banorësh.

Në vjeshtën e vitit 1918 ai u bë i vetmi nga shtatë fëmijët e familjes që e kapi gripi. “Ende nuk mund ta kuptoj se si jam këtu”, tha për gazetën spanjolle “El Mundo” Ameal Pena, tani 105 vjeç.

“Kur u zgjova, mezi mund të ecja. Më duhej të zvarritesha me duar e gjunjë”.

Ndërsa luftonte me ethet, një mjek i këshillonte të bënte avul me çaj nga eukalipti dhe algave të detit.

Javët e fundit Ameal Pena ka parë me ankth ndërsa është zhvilluar një pandemi tjetër. Spanja ka qenë ndër vendet më të goditura.

“Ai e di saktësisht se çfarë po ndodh me koronavirusin”, tha vajza e tij, Anunciata në “El Mundo”. “Meqenëse ka jetuar në të gjitha këto gjëra, është duke kaluar një kohë të vështirë tani. Ai ka frikë se diçka e ngjashme do të ndodhë përsëri, edhe pse ne po jetojmë në periudha shumë të ndryshme”.

Ndërsa frika e përhapur nga të dy pandemitë është e ngjashme, përparimet shkencore kanë lejuar që ky virus të izolohet, me ilaçet antivirale të testuara dhe trajtimet komplekse mjekësore për t’u kryer.

Nëpër Atlantik një tjetër i mbijetuar nga gripi i 1918, 107-vjeçari Joe Newman, tregoi eksperiencën e tij. “Ka prej nesh që thonë, mirë, edhe kjo do të ikë. Dhe do të ndodhë”, tha banori i Sarasota, Florida, për “NBC News”.

“Por me çfarë kostoje, me çfarë shpenzimi?”

Newman u bëri thirrje njerëzve që të mbështeten tek njëri-tjetri për mbështetje. “Duhet të jesh krahu im. Unë duhet të jem krahu yt. Në atë mënyrë kalon përmes çdo krize që kemi pasur”, tha ai. “Dhe e kuptojmë, kur shikojmë prapa, se kjo është ajo që kemi kaluar”./The Guardian