Sport Kishte Papë tjetër, CR7 kishte vetëm një Top të Artë: Si ishte...

Kishte Papë tjetër, CR7 kishte vetëm një Top të Artë: Si ishte bota 8 vite para diktaturës së Juves

Kishte një Papë tjetër. Fjala “influence” s’kishte lindur ende, sepse “Instagram”-i sapo kishte mbushur një vjeç. Dhe nuk mund t’i shikoje ndeshjet në “live streaming”, duke qenë se 4G ishte ende një projekt në kantier. Tetë vite më parë, Juventusi fitonte titullin e parë të një cikli të pafund, i cili dje u përsërit edhe një herë. Në një botë në zhvillim të vazhdueshëm, 8 vite janë një përjetësi: italianët kanë ndryshuar stilin e jetës edhe falë teknologjisë, ashtu siç janë ndërruar qeveritë dhe Papa.

Në të gjithë këtë kohë, vetëm një gjë nuk ka ndryshuar: Juventusi, kampione e Italisë. Ishte Antonio Konte në timonin e “Zonjës”, që pas “Calciopolit”, rikthehej të fitonte titullin pas dy vendeve të shtata radhazi. Vuçiniç, Matri, Kualjarela, nuk ishin yjet e “Instagram”-it që sot janë Kristiano Ronaldo, Nejmar apo Ikardi, i cili debutonte në Serinë A pikërisht atë vit, ndërkohë që Vanda Nara nuk ishte divorcuar ende nga Maksi Lopez. Me pak fjalë, “skandalet” ndodhnin vetëm në gazeta dhe TV, por jo në smartfonë, edhe për shkak se në atë kohë ekzistonte vetëm teknologjia 3G dhe termi “stories” nuk ishte zhdoganuar ende në gjuhën e përditshme.

Në vitin 2012, viti i parë i “Skudetos” së Juves, nuk ekzistonte “Sarrizmi”, “Çolizmi”, VAR, teknologjia e vijës fatale, arbitri pas porte, grafika 3D. Berluskoni dhe Galiani protestonin për golin e Muntarit dhe nuk kishin Monzën (e cila binte në kategorinë e dytë të Lega Pro), ndërsa Tohir dhe “Suning” do ta merrnin Interin vetëm vitin pasardhës. Mbape dhe Donaruma ishin 14 dhe 13 vjeç.

Kristiano Ronaldo kishte fituar vetëm një “Top të Artë” dhe Toti ishte ende një nga rivalët e mëdhenj të bardhezinjve. Nga 2012, kanë kaluar 3 kapitenë (Del Piero, Bufon, Kielini), një stadium i ri është bërë një model për t’u kaluar, dy trajnerë dhe dhjetëra kampionë. Ka pasur edhe momente të vështira, si dy finalet e humbura të Champions-it dhe shfryrjet klasike të tifozerisë. Këto, gjatë viteve të fundit, nuk kanë ndryshuar. Ashtu si rezultati në fund të kampionatit: Juventusi, edhe një herë, është kampione e Italisë.