Kryesore “Kjo është një pupël opozitë, Basha s’u bë dot lider”, Berisha: Kryeministër,...

“Kjo është një pupël opozitë, Basha s’u bë dot lider”, Berisha: Kryeministër, jo kryetari i partisë

Ish-Kryeministri, Sali Berisha, këtë të premte është ndalur në qytetin e Korçës, ku ka zhvilluar një takim me demokratët. Nga “Foltorja” në këtë qytet, Berisha zbuloi disa detaje nga platforma e tij për rikthimin e PD në pushtet, duke qartësuar se kryetari që humbet zgjedhjet duhet të japë dorëheqjen.

Në fjalën e tij, Berisha bëri thirrje për hapje të partisë dhe të ftohen të gjithë qytetarët e intelektualet që të bashkohen me PD-në. Po ashtu ish-Kryeministri hodhi idenë se kreu i qeverisë nuk duhet të jetë domosdoshmërisht kryetar i partisë, por të zgjidhet nga anëtarët me votë.

“Duhet t’i japim fund kësaj situate, se kush do të jetë deputet, se cili do të jetë këshilltar, do ta vendosni ju me primaret. Jo me negativet, por me pozitivet. Kjo krijon një raport të drejtë të deputetit me zgjedhësit. Mua nëse më zgjidhni ju, unë duhet të vij tek ju dhe unë nëse nuk vij ju do më hiqni. Nuk do të jetë kusht që dhe kryetari i partisë të jetë dhe kryeministër. Edhe për kryeministër, pas fitoreve të zgjedhjeve do të vendosni ju. Vendimet do të jenë kolegjiale”, u shpreh Berisha.

Sali Berisha po ashtu e vuri theksin dhe tek primaret, që sipas tij do të kthejnë PD-në në një parti të vlerave.

Në këtë takim përveç deputeteve, Edmond Spaho dhe Tritan Shehu, ishte dhe Sorina Koti, e cila është zgjedhur si ligjvënëse në vitin 2021. Koti i tha Berishës se demokratët duhet të udhëhiqen drejt një rrugëzgjidhje, pasi me Lulzim Bashën në krye PD sot në një udhëkryq shumë të madh.

“Ju kërkoj të gjejmë një rrugëzgjidhje, një rrugëdalje, një forcë pozitive për të ringritur Partinë Demokratike në pushtetin e saj. Të gjithë ne këtu sot besojnë në atë logo, në Partinë Demokratike. Besojmë në vlerat demokratike, besojmë në vlerat tradicionale dhe në vlerat konservatore. Forca jonë është bashkimi. Partia Demokratike është më e rëndësishme se çdo gjë”, tha deputetja Koti.

Berisha edhe nga Korça u bëri thirrje demokratëve që të plotësojnë formularin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, ku do të merren vendimet e rëndësishme për nxjerrjen e PD nga kriza.