Aktualitet Klerikët thirrje qytetarëve/ Spahiu: Qëndroni në izolim, durimi është cilësi e besimit...

Klerikët thirrje qytetarëve/ Spahiu: Qëndroni në izolim, durimi është cilësi e besimit tonë

Klerikët i janë bashkuar apelit drejtuar qytetareve për të qëndruar në shtëpi. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u ka kërkuar të gjithë besimtarëve të respektojnë rregullat e vendosura nga autoritetet.

“Durimi është cilësi e besimit tonë! Më të sprovuarit ndër njerëzit kanë qenë profetët e Zotit. Ata i kanë kaluar me sukses sprovat e tyre të vështira. Edhe ne na këshillon Zoti që të ndjekim shembullin e tyre. Ne nuk jemi vetëm në këto ditë të “jashtëzakonshme” që po kalojmë. Në këto ditë, përveç zbatimit me përpikmëri të rregullave që na porositin mjekët, unë ju lutem që t’i përdorim edhe për të përfituar shpirtërisht prej tyre me lutje dhe durim. Jeta e çdo njeriu është e shenjtë dhe ne jemi të obliguar të mbrojmë shenjtërinë e jetës si një amanet i dhënë nga Zoti. Ky virus nuk përhapet vetvetiu, por jemi ne që e përhapim me kontaktet që kemi me njëri-tjetrin në rrugë apo në ambiente të ndryshme. Fatkeqësisht mënyra e vetme për ta parandaluar, sipas ekspertëve të mjekësisë është qëndrimi në shtëpi, duke respektuar udhëzimet e autoriteteve, me shpresë që kjo situatë të kalojë sa më shpejt.”