Kulturë Klodeta Gjini, nga kërcimi së larti – në fushën e gazetarisë

Klodeta Gjini, nga kërcimi së larti – në fushën e gazetarisë

Bisedë me Mjeshtren e Madhe, KLODETA GJINI

Ndue Lazri: Para ca kohësh ju më bëtë një intervistë rreth krijimtarisë sime letrare e publicistike. Diçka e pazakontë. Një Mjeshtre e Merituar Sporti, Mjeshtre e Madhe e Republikës i bën intervistë një gazetari. Tani, pa dashur të duket si shkëmbim favoresh, a mund t’i këmbejmë rolet dhe e intervistuara të jeni ju?

Klodeta Gjini: E pranoj me kënaqësi ndërrimin e roleve. Lidhja ime me gazetarinë është shpirtërore. Janë disa elementë që ndërthuren. E para, jam vajzë tipografi, im atë ka punuar faqosës në gazetën “ Bashkimi” dhe unë u rrita duke “ ngrënë” të gjitha gazetat që dilnin në shtyp nga “ Drita” tek “ Nëntori”, “ Hosteni”  “ Studenti”, “ Sporti Populllor”, “Puna”, “ Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” etj.

E dyta, lidhet me dhënien e intervistave në moshë fare të re, 16 vjeç. Gazetari Ahmet Shqarri është i pari që më ka intervistuar për Radio Tiranën, pikërisht për emisioni “Rubrika Sportive” i të dielës në darkë. U rrita mes gazetarësh dhe ndër vite kam frekuentuar dhe kam mjaft miq gazetarë.

E treta, më kujton vitin 1991 dhe dy muajt a parë të 1992-ishit, kur për një periudhë gjashtëmujore kam pasur një hapësirë dhjetë minutëshe brenda  “Rubrikës Sportive” në TVSH, ku drejtoja në studio këndin me të ftuarin e ditës. Kuptova se kisha një raport special me kameran.

E katërta, prej vitesh shkruaj në blogun personal klodetagjini.blogspot.com, ku përpiqem të publikoj diçka sa herë kam mundësi. Është një nga kanalet e mia të komunikimit në botën e globalizuar dhe virtuale.

Me lartësinë 1.92 m në kërcim së larti mbani që prej 31 vjetësh rekordin kombëtar në këtë disiplinë sportive. 36 vjet e ka mbajtur rekordin italian legjenda botërore e kësaj disipline, Sarà Simeoni. Por ajo është kaluar në vitin 2007, ndërsa ju e mbani akoma. Si mendoni, Shqipëria nuk ka ende talente në këtë fushë që të kalojnë primatin tuaj?

Në fakt rekordi im i parë për të rritur është i 15 prillit të vitit 1981në garat për Kupën e Policisë Popullore, ndërsa i fundit është i 22 gushtit vitit 1989, garë lokale e qytetit të Tiranës. Jam mbajtëse e rekordit kombëtar në këtë garë prej 39 vjetësh.

Ah, domethënë ju e kaloni me 3 vjet këtë primat të kampiones italiane?

Mendoj se treguesi më interesant është që rekordet të kujtohen për cilësinë e tyre, për nivelin e lartë më tepër se sa për jetëgjatësinë e tyre.

Rekordi i Simeonit kujtohet kryesisht për këtë, thyerjen e një limiti psikologjik, thyerjen e barrierës psikologjike për të shkuar përtej 2 m. Personalisht mendoj se jetëgjatësia e një rekordi është një statistikë dytësore.

Njoh pak ose aspak situatën e atletikës në Shqipëri dhe nuk mund të shpreh asnjë mendim për talentet e reja. Mund të theksoj se rezultatet e larta në garat teknike janë shumë më të vështira për t’u arritur për veçantinë e tyre dhe gërshetimin e shumë faktorëve.

Cilat janë kujtimet më të bukura të karrierës suaj sportive, në planin kombëtar e ndërkombëtar?

Karriera ime sportive ka një shtrirje kohore relativisht të gjatë. Mendoj se 10 vjet rresht kampione kombëtare me shifra të nivelit botëror në një pistë dheu janë paketimi më i bukur i asaj periudhe. Çdo garë ka të veçantat e veta, ashtu si çdo ditë stërvitjeje. Po përmend dy, duke i ndarë në dy kategori: për rezultatin dhe per tensionin e garës.

Për rezultatin, thyerja dhe vendosja e rekordit të parë për të rritur është një nga gëzimet më të bukura edhe pse shifrat ishin vetëm 1.79 m.

Në rastin e dytë veçoj fitimin e një medaljeje bronxi në Ballkaniadën e zhvilluar në Serres të Greqisë më 1989. Ishte një garë ku rezultati 1.90 m klasifikonte  vendin e parë, të dytë dhe të tretë. Podium, i cili në vendin e dytë kishte Niki Bakoyianni ( Νίκη Μπακογιάννη)  të Greqisë, fituese e medaljes së argjendtë në Lojrat Olimpike të Atlantës. Garë shumë e gjatë, cilësore dhe me tension nervor e psikologjik të jashtëzakonshëm.

Ju ka rastisur të takoheni apo përballeni në ndonjë garë ndërkombëtare me Sarà Simeonin?

Po, në një nga eventet më të mëdha të atletikës, vitin 1983, në Kampionatin e parë botëror në Helsinki. Ishim në dy grupe eleminatore të ndryshme, por gara zhvillohej në të njëjtin moment dhe zona e kërcimit kishte dy pedana kërcimi. Sara dëmtoi tendin e Akilit gjatë garës dhe u largua, ndërsa unë shkova me thembrën të shëmbur.

Në vitet ’70-’80 sporti i femrave në vendin tonë ka patur një zhvillim të ndjeshëm. Ende kujtohen mjeshtrja Marjeta Pronjari (Zaçe), gjithnjë në disiplinën e kërcimit së larti, rekordin e së cilës ju e keni kaluar me 14 cm, rezultatet tuaja, ato te volejbollisteve të “Dinamos” etj. Ishin vite të rritjes së personalitetit të femrës shqiptare në sport?

Periudha e viteve ’70-’80 dallohet për aplikimin e një strategjie të re në sport, jo vetëm për sa u takon sporteve femërore, por sportit në përgjithësi. Takimet dhe shkëmbimet sportive me Kinën, si dhe prezenca e trajnerëve kinezë, sollën një ballafaqim me eksperiencat dhe kulturën e tyre sportive. Kjo solli hedhjen e  bazave të një politike të re sportive me një këndvështrim të ri. Në fillim të viteve ’70, ashtu si në të gjitha vendet socialiste, edhe Shqipëria vendosi të bënte një hap në këtë drejtim duke “investuar” tek seleksionimi dhe kërkimi i talentit nëpërmjet klasave sportive dhe forcimit të ekipeve zinxhir tek klubet. Sporti ishte një element që sillte uljen e shpenzimeve për kurim, por edhe një mjet për të komunikuar me jashtë.

Mundësia për t’u dashuruar me atletikën ishte pikërisht konsekuencë e kësaj politike dhe sëbashku me mua, shumë ish sportiste të asaj kohe ju afruan sportit nëpërmjet klasave sportive. Të përgatitesh një sportist cilësor duhen mesatarisht 10 vjet. U mboll fara në fillim të viteve ‘70 dhe frutet u mblodhën në vitet ’80 dhe vazhduan deri në fillimin e viteve ’90.

Mendoj se pasioni dhe kultivimi i disa sporteve popullore krijoi një amalgamë që e transformuan sportin në një instrument komunikimi të jashtëzakonshëm, si për politikën e brendshme, ashtu edhe për atë të jashtme. Ishte një komunikim  jo vetëm thjeshtë tek rezultati sportiv, por forconte rolin e femrës në shoqëri dhe demonstronte kapacitetet e saj.

Është e rëndësishme për mua të theksoj se brezi i sportisteve femra në ato vite u përball me një opinion publik paragjykues, që e shikonte femrën sportiste si jo të moralshme. Kjo ishte shprehje e një kulturë mjaft të mbrapambetur në këtë drejtim. Sot e them me plot gojën se brezi ynë, brezi i vajzave sportiste të atyre vieteve,  solli ndryshimin rrënjësor të mentalitetit që egzistonte, duke thyer koncepte dhe paragjykime falë punës, përpjekjeve, studimit, korrektësisë dhe cilësisë së lartë sportive. Ishin vite ku femra, në ato pak hapësira që kishte, diti të demonstrojë dinjitetin dhe personalitetin e saj.

Edhe pse ju jetonit në kryeqytet, ku të themi kishte një shkallë emancipimi më të lartë, keni patur rast të ndesheni me mentalitete të tilla?

Mbaj mend se isha e vetmja femër në portative që shikoja një ndeshje futbolli në stadium, që ishte si të thuash një privilegj vetëm për meshkuj. Zakonisht qëndroja tek hyrja midis tribunave A dhe B, shpesh në këmbë. Sa e sa herë më kanë ftuar persona që nuk më njihnin të ikja në shtëpi se nuk ishte vend për mua.

Shpesh i shikoja me keqardhje, nuk ju përgjigjesha, duartrokisja për momentet e bukura të lojës. Po unë isha aty edhe për një qëllim tjetër. Mbas ndeshjesh, sapo stadiumi boshatisej, ishte momenti im, filloja stërvitjen.

Në dokumentarin “Për një centimetër”, realizuar nga miku e kolegu im, gazetari e skenaristi Nexhati Tafa, ju e rrëzoni për herë të parë stekën duke tentuar lartësinë 1.93 cm. Aty ju përdorni shprehjen: “Nuk e dini sa peshon ai 1 cm”…Na e spjegoni domethënien e saj. Pse kishte aq rëndësi për ju ai 1 cm.?

Ah, pesha e një centimetri…është e vështirë ta shpjegosh, por mund të them se në atë atmosferë togëfjalëshi ka një kuptim figurativ që lidhet me filozofinë e dokumentarit.

Përfitoj nga rasti të falenderoj skenaristin Nexhati Tafa për zhvillimin e idesë nërmjet alegorisë aq të goditur, që shprehet nëpërmjet një elementi teknik të prekshëm, cm në lartësi dhe ecjes tonë përpara në çfarëdo lloj drejtimi.

Në jetë lodhemi, shpesh me vite të tëra, për të ecur përpara në një drejtim të caktuar dhe ndodh që as atë centimetër nuk arrijmë ta realizojmë….

Në garën e së lartit ky është një realitet i prekshëm në çdo moment. Në rastin sportiv ai centimetër peshon, është pesha e stërvitjeve, e tensionit nervor, e sforcimit fizik, e dëshirës për të vazhduar, e dëshirës për të kërkuar rezultatin.

Centimetri im lidhej me një rezultat personal, por indirekt edhe kombëtar.  Peshën e tij e ndjeja vetëm unë se objektivi ishte i imi dhe e ndaja këtë peshë sëbashku me trajnerin Ruli.

Jo rastësisht ai centimetër nuk peshon më, sepse nuk ka më një vajzë që të ketë zgjedhur atë objektiv.

Ju keni përfaqësuar mjaft herë vendin tonë në gara jashtë vendit. Ishin vite kur, në kushtet e një Shqipërie të mbyllur, mjaft sportistë që kishin fatin të dilnin jashtë, kanë preferuar të mos kthehen më, duke ndenjur në shtete të ndryshme, me konsekuencat që njihen. Ju e keni patur ndonjë herë këtë tundim?

Jo. Nuk më interesonte. Me vite krijova një filozofi timen për jetën dhe ecja në shtegun tim.  Me humor mund të them se atletë të huaj dashuroheshin kollaj me mua dhe ma bënin më të lehtë ikjen nëse do ta kisha atë qëllim. Mjaft të përmend atletin e kërcimit me shkop të kombëtares turke në 1987, që donte të bënte kërkesën zyrtare nëpërmjet ambasadës turke. Apo në vitin 1991 në Itali, gjatë periudhës përgatitore dy javore në Schio në kuadrin e Lojrave të Mesdheut në Athinë, një nga atletët e kombëtares italiane të bobit, po ashtu më tha që mund të interesohej.

Thjesht jam kthyer gjithmonë në Shqipëri.

Natyrisht, gjatë udhëtimeve të asaj kohe jashtë vendit, e keni vënë re hendekun e madh që ekzistonte midis zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies midis atyre vendeve dhe Shqipërisë së vetëizoluar. A keni rrezikuar të flisni ndonjëherë për këtë gjë?

Një nga pikat më të dobëta të asaj periudhe ishte pikërisht fakti i të komentuarit të diferencave. E dija shumë mirë se klasifikohej si agjitacion e propagandë…Ndaj gojën mbyllur dhe asnjë koment, përveçse atyre që lidhshin me garat dhe ndonjë aspekti teknik…

Me rekordin tuaj, ju mbeteni një legjendë e atletikës shqiptare. Gjatë atyre viteve shumë gazetarë cilësorë sportivë të gazetave “Sporti popullor”, “Bashkimi” e Radiotelevizioni shqiptar, si Besnik Dizdari, Edmond Dilaveri, Kastriot Ahmati,Ahmet Shqarri, Vladimir Grillo etj. i pasqyronin bukur, me profesionalizëm e me entuziazëm arritjet tuaja. Po mediat e sotme, për mendimin tim profesionalisht në nivel më të ulët, a janë kujtuar për këtë legjendë që tashmë nuk jeton në Atdhe?

U bënë 28 vjet që jetoj jashtë dhe mund të them se herë-herë kujtohen…Në Shqipëri funksion ajo thënia “kur të shikoj me sy, më bie ndërmend për ty”. Por, mbi të gjitha, nuk dinë të bëjnë diferencimin e personalitetit të një fushe me personazhin komercial.

Realisht mund të them se në 5-6 vitet e fundit kam pranuar me pikatore intervistat dhe shpesh i kam refuzuar…Ndofta pikërisht për nivelin e dobët dhe masakrimin e shqipes nga ana e mediave, fakt është se kam preferuar të intervistoj dhe shkruaj për blogun tim.

Lartësia e stekës së viteve tuaja, nuk e pengon ngritjen e vazhdueshme të lartësisë së stekës në udhën tuaj të jetës. Këtë e tregon edhe forma juaj fizike. A stërvitet akoma Klodeta Gjini?

Po, vazhdoj të jem aktive në nivel agonistik. Nga viti 2010 ushtrohem rregullisht 3-4 herë në javë, por në 2015-ën vendosa të mos stërvis më atletë dhe t’i dedikohem stërvitjes për veten time, objektiv i parë shëndeti. Jam atlete master (veterane) e një shoqërie sportive historike të Bolonjës “Acquadela” dhe kur më jepet mundësia marr pjesë në garat zyrtare, zakonisht në fundjavë. Kam përfaqësuar edhe Italinë në Kampionatin Europian të zhvilluar para dy vjetësh.

Mbase fare pak veta e dinë që atletja jonë e mirënjohur mban katër diploma të shkollës së lartë, dy nga studimet në Tiranë e dy në universitetin e Bolonjës. Na flisni pak për këtë kualifikim të pandërprerë tuajin.

Mund të them se jam studente e përjetshme, si në kuptimin e vertetë, ashtu edhe letrar të shprehjes. Kam mbaruar studimet në Fakultetin ekonomik, dega merceologji e përgjithshme më 1986, në Universitetin e Tiranës, por nuk më mjaftoi dhe  kthehem dhe një herë studente më 1988 në ILKF “Vojo Kushi”, sot Universiteti i Sporteve dhe diplomohem në Degën Mësuesi më 1992.

Një nga motivet që më shtyn drejt Italisë, përveç problemeve të rënda shëndetësore, ishte dhe studimi. Në 2008 mbaroj ciklin 3+2 në Fakultetin e Shkencave Lëvizore, në Universitetin e Bolonjës, sot Departamenti BIOFARM , dega parandalimi dhe kurimi i sëmundjeve nëpërmjet sportit. Por diçka kishte mbetur e paplotësuar brenda meje në drejtimin ekonomik, edhe pse kisha dhënë provimin e shtetit pranë Konsob dhe isha eksperte në sektorin bankar. Në vitin 2017 po në të njëjtin universitet mbarova studimet për Management Marketing.

Kam realizuar një ëndërr, duke qenë studente e Universitetit më të vjetër në botë. Më pëlqen të studioj dhe vazhdoj të ndihem akoma studente dhe në shpirt.

Kam lexuar disa intervista tuajat me gazetarë, shkrimtarë,piktorë. Nga ato kuptohen njohja dhe  interesat tuaja të gjëra edhe në fushën e kulturës e të arteve. Kalimi në rolin e gazetares, është thjeshtë një hobby, apo një dëshirë e shprehjes së personalitetit edhe në fusha të tjera?

Them se janë të dyja bashkë, kam dëshirë për ekspansion. Shpesh më vjen keq se kujtohen për rezultatin sportiv dhe nuk vlerësojnë kapacitetin dhe personalitetin që qëndron mbrapa atij rezultati.

Ju falënderoj për bashkëbisedimin dhe uroj që steka e arritjeve tuaja sportive, kulturore e shpirtërore të arrijë gjithnjë lartësi të reja.

Bisedoi: Ndue Lazri