Sport Klop “provokon Sitin: Goli ishte i parregullt, Totenhemi e meritoi

Klop “provokon Sitin: Goli ishte i parregullt, Totenhemi e meritoi

Liverpuli vazhdon të jetë në ndjekje të Mançester Sitit në garën për titullin kampion në Angli dhe trajneri Jyrgen Klop nuk i trembet aspak faktit që skuadra e tij po lufton në dy fronte. Gjermani thotë se nuk janë të lodhur, përkundrazi, kanë shumë motivimin për t’i shkuar në fund këtij sezoni dhe të triumfojnë.

“Kush tha që jemi të lodhur? Nuk është aspak e vërtetë. Është një moment vendimtar i sezonit dhe më mirë për ne që jemi të përfshirë në të dyja kompeticionet. Jemi në garë për Champions-in dhe për titullin. Si mund të jemi të lodhur… Tani, stërvitjet janë me intensitet më të ulët dhe lojtarët e dinë këtë. Do të luajmë për 3 pikët me Kardifin”, tha fillimisht Klop.

Më tej, ai foli edhe për eliminimin e Sitit nga Champions-i. “Ishte ndeshje e jashtëzakonshme dhe më erdhi keq që nuk u kualifikuan, por komplimente Totenhemit. Goli ishte në pozicion jashtë loje, por në ato momente është e vështirë ta pranosh. Bravo Totenhemit! Unë thashë në fillimin e sezonit se do të kenë vit të vështirë sepse nuk bënë merkato, por t’i shënosh 3 gola Sitit, do të thotë se e merituan kualifikimin”, tha Klop.