Kryesore KLSH zbulon skandalin me pasoja të rënda për sigurinë ushqimore: AKU lejoi...

KLSH zbulon skandalin me pasoja të rënda për sigurinë ushqimore: AKU lejoi futjen e pesticideve të rrezikshme

Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon një tjetër skandal me pasoja të rënda për sigurinë ushqimore në Shqipëri. Një audit i përfunduar në Prill të vitit 2019 ka gjetur se në vendin tonë, në vitet 2017 dhe 2018, janë futur pesticide e produkte të tjera për mbrojtjen e bimëve, pra helme e kimikate të rrezikshme, të ardhura nga Kina. E gjithë përgjegjësia për këtë skandal, thuhet në një raport paraprak të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të siguruar nga Tv Klan, bie mbi Ministrinë e Bujqësisë dhe konkretisht mbi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, i cili e ka për detyrë ligjore që t’i kontrollojë këto produkte që në hyrje të tyre në Shqipëri, në dogana.

“Kontrolli i parë i produkteve për mbrojtjen e bimëve kryhet nga inspektorët e AKU në pikat e inspektimit kufitar. Nga auditimi u konstatua se AKU nuk ka kryer marrje mostrash për kontrollin cilësor të PMB-ve (Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve) bazuar në vkm nr. 1188, datë 20.08.2008 “Për miratimin e rregullave për importin, tregtimin, transportin, ruajtjen, përdorimin dhe asgjësimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve, i ndryshuar”. Theksojmë se këto analiza cilësore të PMB-ve kryhen nga ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë), i cili nëpërmjet shkresave me datë 05.07.2017 dhe 19.06.2018 parashtron se e ka të pamundur kryerjen e analizave cilësore të PMB-ve, për këtë arsye nga AKU për vitin 2018 nuk janë marrë mostra për kontrollin cilësor të PMB.

Pra PMB-të që hyjnë për përdorim në vendin tonë nuk i nënshtrohen asnjë analize laboratorike të formulimit për të parë vetitë e tyre fiziko-kimike, përbërjen e lëndëve vepruese dhe përmbajtjen e saj në % (përqindje) apo në g/l (gram për litër), përbërjen dhe përmbajtjen e lëndëve mbushëse (inerte) si dhe përbërjen e aditivëve që u shtohen formulimeve. Rrjedhimisht këto PMB nuk kalojnë paraprakisht në testet laboratorike dhe në terren për të parë veprimin e tyre (provat fushore) në kushtet aktuale të vendit tonë.”

Përveç faktit se kimikatet që përdoren në bujqësi nuk i nënshtrohen asnjë analize, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar kështu se ato vijnë nga Kina, në një kohë kur Bashkimi Europian nuk i lejon këto produkte nga ky vend, pasi konsiderohen me rrezik të lartë. KLSH thotë se as AKU dhe as Ministria e Bujqësisë nuk kanë ndonjë regjistër të vlerësimit të këtij risku dhe as monitorim të rreptë, përkundrazi, importet më të mëdha kryhen nga Kina.

“Nga auditimi u konstatua se janë kryer importe të PMB-ve me vend origjine Kinën, pavarësisht se nga vendet Europiane nëpërmjet direktivave të ndryshëm ekziston një “bllok” ndaj produkteve generike që vijnë nga Kina, duke e konsideruar importin e tyre me risk të lartë. Nga ana e MBZHR (Ministrisë së Bujqësisë) dhe AKU nuk ka një regjistër të vlerësimit të riskut të lartë të tyre dhe një monitorim më të rreptë, por ndodh e kundërta, ku importet më të mëdha kryhen pikërisht me vend origjine Kinën.”

Skandali thellohet edhe më tej, pasi KLSH ka zbuluar se në pikat e kalimit kufitar, subjektet që importojnë pesticide e kimikate të tjera nga Kina, nuk e kanë shoqëruar mallin asnjëherë me certifikata origjinale, por vetëm me fotokopje të një certifikate të lëshuar nga vetë kompania kineze që e prodhon atë dhe asnjëherë me ndonjë dokument të ndonjë laboratori të njohur kombëtar të vendit ku është prodhuar produkti.

Në të gjitha këto raste, saktëson KLSH, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit i janë njoftuar me e-mail miratimet për kalimin e këtyre pesticideve, vetëm me një OK të një specialisti të Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve.

Edhe në rastet e denoncuara publikisht, vijon me tej KLSH, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk e ka kryer detyrën e tij, teksa merr si shembull importimin në masën 2 mijë kilogramëve të një produkti të rrezikshëm që ishte hequr nga regjistri importeve të lejuara në Shqipëri, por që ishte futur nga një kompani me degë qendrore në Berat dhe ka përfunduar në fermat shqiptare, i përdorur për produktet ushqimore që ne konsumojmë.

“Ky rast është bërë publik dhe është denoncuar në media, pas të cilit AKU, nëpërmjet DRAKU Berat, ka kryer verifikimet në subjekt, ku sipas procesverbalit të inspektimit rezulton se ky produkt është në gjendje në magazinën e subjektit privat, por nuk ka në përbërje të tij Carbendazin dhe Acetamiprid, pa përmendur se cilët dokumente importi kanë verifikuar këta inspektorë.

Pavarësisht qenies në dijeni të faktit të importit të lëndëve të rrezikshme për shëndetin e njeriut, AKU është mjaftuar vetëm me këtë verifikim të zakonshëm të zinxhirit burokratik, pa verifikuar më tej asnjë dokument të importit të kryer në doganën e Durrësit.

Nga praktika e dokumenteve të importit fare thjesht do të zbulonin se nën emrin Cobrekey janë futur dy PMB të rrezikshme, të dala nga qarkullimi në vendet e BE, siç është Carbendazina dhe Acetamiprid, të konsideruara tepër të rrezikshëm edhe me pasoja të rënda në popullatë.”

Këto kimikate të rrezikshme për popullatën përdoren në bujqësi për rritjen e produkteve të ndryshme ushqimore, të cilat përfundojnë në tavolinat e konsumatorëve shqiptarë.

Ky skandal i zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për praninë e kimikateve në nivele të larta tek disa produkte ushqimore, që del në dritë pas denoncimeve të bëra nga Televizioni Klan dhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit, e rëndon edhe me tej pozicionin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Raporti i këtij institucioni shtetëror fakton zyrtarisht se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk e ka situatën nën kontroll dhe nuk është i aftë të garantojë se, produktet ushqimore që konsumojnë shqiptarët janë të sigurta. Dështimi i AKU, sipas raportit të KLSH, nis që nga lejimi i pesticideve e kimikateve të tjera bujqësore të rrezikshme. Ndërsa Televizioni Klan dhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit provuan me fakte se AKU nuk është e aftë të kryeje analizat e duhura për prodhimet ushqimore që dalin në tregjet tona. Për shkak të paaftësisë së këtij institucioni, ngarkesa me prodhime bujqësore nga Shqipëria, rezultojnë të jenë kthyer në doganë nga vende fqinje, siç kanë dëshmuar vetë eksportuesit. Dhe dyshohet se, edhe këto ngarkesa të refuzuara nga vendet e tjera pasi janë konsideruar të dëmshme, kanë përfunduar në tregun shqiptar./ Tv Klan