Sport Klubet angleze dëshirojnë të përfundojnë sezonin në… Kinë

Klubet angleze dëshirojnë të përfundojnë sezonin në… Kinë

Institucionet dhe klubet e futbollit anglez nuk dinë si t’i japin një përfundim të denjë sezonit futbollistik, me 92 ndeshje ende të paluajtura, dhe hipotezat janë nga më të ndryshmet. Por sipas disa burimeve që po qarkullojnë në mediat britanike, të paktën një klub i rëndësishëm i Premier League po lobon për të spostuar kampionatin më të shikuar në botë mijëra kilometra në distancë, pikërisht në Kinë.

Të largohesh nga Anglia nga pasojat shkatërrimtare, edhe në sport, të pandemisë së koronavirusit për të shkuar në vendin ku koronavirusi është shfaqur për herë të parë duket si një nonsens, por nuk janë pak ata që mendojnë që Kina është i vetmi vend që paraqet karakteristika sigurie dhe infrastrukture të denja për t’u shndërruar në skenën e përkohshme të Premier League.

Ky transferim do të ndihmonte, sipas propozuesve, edhe lirimin e stadiumeve private në Angli të klubeve më prestigjioze, që mund të viheshin në dispozicion të sistemit shëndetësor në rast nevoje.

Propozimet e tjera nuk duken bindëse, si ato që të luhen tre ndeshje në ditë në dy-tri stadiume me porta të mbyllura në Angli.

Faktori ekonomik nuk mund të nënvlerësohet, duke marrë parasysh që dëmet nga mospërfundimi i ndeshjeve mund të shkojnë deri në 1 miliard dollarë vetëm nga të drejtat televizive.