Opinione Koalicioni i madh qeveritar i Merkelit: nuk ishte edhe kaq i keq,...

Koalicioni i madh qeveritar i Merkelit: nuk ishte edhe kaq i keq, apo jo?

Koalicionet mes partive të mëdha nuk janë të preferuara. Ato e paralizojnë opozitën dhe margjinalizojnë partnerët e vegjël, argumentojnë kritikët. SPD e njeh këtë. Por tani sërish kemi para vetes një koalicion të tillë.

SPD është ende në qeveri, por bilancet e legjislaturës që mbaroi ka kohë që janë bërë. E përgjithshmja: kaq i keq nuk ishte koalicioni i madh i dytë nën Merkelin. Para së gjithash ishte harmonik. Por atmosfera e mirë midis socialdemokratëve dhe konservatorëve nuk mjaftoi për suksese të kalibrit të madh politik.

Çuditërisht mirë, çuditërisht pak

Parulla e vitit 2013 e Merkelit “…se ne jemi një koalicion i madh, për të bërë zap detyra të mëdha për Gjermaninë”, rezultoi thjesht si frazeologji e bukur. Me shumicën prej 80 përqind në Bundestag u pengua para së gjithash mini-opozita që të jepte qoftë edhe një impuls të vetëm për qeverinë. Reforma të mëdha sidoqoftë nuk u panë gjëkundi. Ato pak gjëra që arritën, kanë të bëjnë me reformën e sigurimit për shërbimet sanitare, pensionet për nënat, pensionin me 63 vjeç (për kategori të caktuara), paga minimale dhe kuota e grave.

Dashamirësit vlerësojnë si sukses qeverisjen në pjesën më të madhe pa difekte në kohë të vështira. Shtimi i rrezikut të terrorit dhe vërshimi i refugjatëve para së gjithash, u administruan, si probleme. Dhe: konsensusi i shoqërisë u ruajt në njëfarë mënyre, i cili u godit në të njëjtën kohë nga Brexiti në Britaninë e Madhe, në SHBA nga Trumpi dhe në disa pjesë të Evropës lindore përmes një lëvizje rinacionalizimi. Në pikëpamje të politikës sociale, bilanci është i përzier. Megjithë konjukturën e fuqishme pozitive ekonomike pjesë të mëdha të popullit ndienë pak deri asgjë prej saj. Në bazë të Agjencisë Federale të Punës, në mars 2017 më shumë se 3,2 milionë vetë patën më shumë se një punë, kurse numri i përgjithshëm i atyre që kanë pak punë, në kohët e koalicionit të madh u rrit në 7,5 milionë vetë. Në një kohë që midis viteve 2002 dhe 2012 të ardhurat e dhjetë përqindshit të sipërm të shoqërisë janë rritur në një shumë dyshifrore, sipas Institutit Gjerman për Studimet Ekonomike (DIW), 40 përqind e atyre që ndodhen në fund të shkallës së mirëqënies kanë pakësim të të ardhurave.

Fushata elektorale për drejtësi, e cila nuk ndezi

Zhvillime si këto e turbullojnë pamjen e parajsës Gjermani, “ku ne jetojmë mirë dhe me dëshirë”, siç thekson herë pas here kancelarja Angela Merkel. Tema kryesore e fushatës elektorale të SPD në vitin 2017, drejtësia, ishte me vend, thotë njeri nga këshilltarët e SPD, Nils Heisterhagen. Vetëm se u shit keq.

Në një vështrim pas, ajo që ka mbetur është vetëm përshtypja se SPD në politikën sociale në thelb nuk deshi të veprojë ndryshe nga partneri i shumicës i koalicionit. Heisterhageni i rekomandon partisë së tij një kthesë të qartë në politikën e taksave dhe në politikën sociale. “Më shumë guxim për Lafontaine”, është kërkesa e tij. Ish-kryetari i SPD, Lafontaine mbështeti në fillim të periudhës si kancelar të Gerhard Schröderit një kurs të tillë. Meqenëse nuk e imponoi dot si kurs, ai e braktisi partinë dhe u bashkua me partinë E Majta. Me marshimin e saj në mesin e shoqërisë, SPD jo vetëm që humbi shumë nga profili i saj. Partia populiste AfD ndërkohë ka më shumë mbështetës tek punëtorët (34 përqind) se partia me traditë e punëtorëve SPD. Edhe më tej: në radhët e AfD ka më shumë sindikalistë (24 përqind) se në SPD (19 përqind). Një zhvillim që ka të bëjë edhe me tetë vitet e kaluara të koalicionit të madh që prej 2005-ës, në të cilat SPD në perceptimin publik mezi dallohej nga partia unioniste e Merkelit.

Përsa i përket materies, anëtarët e koalicionit vërtet miratuan shumë gjëra. Mbi 2000 ligje. Por një projekt i madh i përbashkët nuk u pa gjëkundi.

Tani thirret SPD, sepse negociatat për koalicionin mes unionistëve, liberalëve dhe të Gjelbërve nuk përfunduan me sukses. Jo-ja e prerë për koalicionin e madh zbutet çdo ditë e më shumë. SPD mund të paraqesë kërkesa, por për ta tepruar nuk duhet ta teprojë. Sepse Merkeli ka edhe një fishek në karikator: qeverinë e minoritetit./DW