Bota Kobe Bryant / Mjegulla shkak i aksidentit, kush janë 9 viktimat

Kobe Bryant / Mjegulla shkak i aksidentit, kush janë 9 viktimat

Dyshohet të ketë qenë koha e keqe dhe mjegulla e dendur shkak për rrëzimin e helikopterit me 9 persona në bord, mes tyre edhe ish-basketbollisti i madh amerikan, Kobe Bryant, dhe vajza e tij 13-vjeçare Gianna. Të gjithë humbën jetën nga ky aksident tragjik.

Zyrtarët e policisë në Los Anxheles kanë pohuar në një konferencë shtypi pas aksidentit se shikueshmëria në atë zonë ishte shumë e ulët. Policia kishte vendosur që helikopterët e saj të mos fluturonin atë ditë, ndërsa ai i legjendës Kobe Bryant ishte nisur nga aeroporti “John Wayne” dhe ishte rrëzuar 40 minuta më pas në zonën e Kalabasas, në perëndim të Los Anxheles, pasi kishte kaluar qytetin.

Helikopteri po shkonte drejt Thousands Oaks në Kaliforni, ku vajza e ish-basketbollistit do të luante një ndeshje në turneun “Mamba Cup”, i organizuar nga “Mamba Sports Academy”, projekti i lidhur me basketbollin post NBA i 41-vjeçarit. Edhe pse autoritetet nuk i kanë publikuar emrat e viktimave, është konfirmuar se në helikopter ishte John Altobelli, trajner basketbolli i “Orange Coast College”. Altobelli ishte bashkë me vajzën 13-vjeçare Alyssa, shoqe skuadre me Gianna Bryant, dhe bashkëshorten Keri.

Në aksident, përveç pilotit të helikopterit, ende pa emër, ka ndërruar jetë edhe Christina Mauser, asistente e Kobe Bryant në skuadrën e së bijës, siç ka konfirmuar bashkëshorti i saj në rrjetet sociale.

Tjetër viktimë e aksidentit mbeti edhe Payton Chester shoqe në ekipin e basketbollit ku bënte pjesë vajza e legjendës së basketbollit dhe Sarah Chester, e ëma e Payton. I vetmi që nuk është identifikuar ende është piloti.

Për të nxjerrë trupat e viktimave, sipas zyrtarëve të policisë, duhen ditë, pasi helikopteri është rrëzuar në një zonë të thepisur. Me hetimet e ngjarjes, siç ndodh në këto raste, po merret edhe FBI-ja, ndërkohë që të dielën në mbrëmje është izoluar zona.

Los Anxheles u paralizua të dielën nga lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të një prej yjeve më të dashur në qytet. “Staples Center”, shtëpia e Lejkërsave, po organizonte një aktivitet dhe menjëherë numrat 8 dhe 24, që janë tërhequr për nder të Kobit, janë mbulur me një mbulesë të zezë, ndërsa jashtë fansat janë grumbulluar me shpejtësi për t’i bërë homazh legjendës në një memorial të improvizuar. I gjithë qyteti i ka bërë homazh një sportisti, i cili, edhe pse ishte tërhequr nga basketbolli, kishte mbetur një simbol.