Politika Kod i ri Elektoral, Balla: Detyrë e përbashkët me opozitën parlamentare dhe...

Kod i ri Elektoral, Balla: Detyrë e përbashkët me opozitën parlamentare dhe jo-parlamentare

Për Taulant Ballën, zgjedhjet e 30 qershorit ishin demokratike dhe legjitime. Ai citon raportin e ODIHR dhe thekson se zhvillimi i zgjedhjeve ishte shprehje e funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Balla thekson se tani detyra e përbashkët me opozitën parlamentare dhe jo-parlamentare është vijimi i punës në Komisionin e Reformës Zgjedhore për një Kod të ri Elektoral.

“Detyra e përbashkët me opozitën parlamentare dhe jo-parlamentare tashmë është të vijojmë punën në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore për të garantuar që zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 të zhvillohen me një Kod të ri Elektoral”, thotë Balla.

Balla ka folur në Elbasan edhe për zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste, për të cilat thotë se nuk duhet t’i ngjajnë zgjedhjeve të viteve të shkuara.

“Zgjedhjet tona të brendshme që startojmë sot nuk do t’i ngjajnë zgjedhjeve të brendshme të viteve të shkuara, por duhet të jenë një proces debati kombëtar, jo vetëm partiak. Ky proces përmban një hapje të re shumë serioze, shumë reale të Partisë Socialiste në të gjitha nivelet tona të organizimit e në të gjitha nivelet e administrimit të punëve të këtij vendi ndaj njerëzve të zotë, të gatshëm të japin kontributin e tyre për Shqipërinë”, shprehet zyrtari socialist.