Shëndet Koha që shpenzojnë në ambiente të gjelbra ndikon në rritjen e lumturisë

Koha që shpenzojnë në ambiente të gjelbra ndikon në rritjen e lumturisë

Sipas një studimi të kryer së fundmi nga universiteti Alabama dhe të publikuar në International Journal of Environmental Health Research, ambientet e gjelbra janë cilësuar si një prej elementëve që kanë një ndikim shumë pozitiv në rritjen e lumturisë tek njerëzit.

Prandaj lagjet e ndryshme duhet të kenë patjetër parqe ku rezidentët që banojnë aty të kenë mundësinë që të shkojnë dhe të kalojnë aty qoftë edhe vetëm disa minuta.

Referuar gjithmonë studimit të mësipërm, nëse njerëzit do të shpenzonin qoftë edhe vetëm 20 minuta të kohës së tyre në parqet që kanë pranë shtëpisë, ata do të ndiheshin më të lumtur.

Një gjë e tillë ka të bëjë me faktin se kur njerëzit shkojnë në mjedise të gjelbra përfitimet që ata marrin janë të shumta, duke filluar nga reduktimi i nivelit të stresit dhe mbi të gjitha shplodhja nga lodhja mendore, shprehen dy bashkautorët e këtij studimi, Hon K. Yuen dhe Gavin R. Jenkins.

“Hapësirat e gjelbra po zhduken vazhdimisht sidomos në qytete. Gjatë viteve të fundit, planifikuesit dhe zhvilluesit urbanë nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po zëvendësojnë çdo hapësirë të mundshme të gjelbër me ndërtesa rezidenciale. Pra një prej sfidave më të mëdha me të cilën po përballen banorët e qyteteve, është se edhe pse ata e dinë fare mirë rëndësinë e hapësirave të gjelbra rreth pallateve ku banojnë, ata nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po i  zhdukin ato, nga dita në ditë, gjë kjo e cila duhet të ndryshojë sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Jenkins.